E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nallbani: “Ndaj Besës për të shlyer gabimin me Laçin”

Autori i Lajmit: Redaksia

Më shumë se loja pa shkëlqim ndaj kolonjarëve, portierin e Tiranës, Nallbani, e ka kënaqur fitorja e skuadrës së tij. Dje, para mediave, lideri i bardhebluve foli për për ndeshjen me Besën dhe është i bindur se skuadra e tij do ta kalojë me sukses përballjen e radhës, pasi me ardhjen e Starovës në krye, Tirana di të shprehet më lirshëm në fushë. Kur nga përfundimi i kampionatit kanë mbetur edhe tre ndeshje për tu luajtur, ekipi i Tiranës po lufton për një vend të dytë apo dhe të tretë. Bardheblutë duke qenë se ndodhen në vendin e tretë kanë çdo gjë në dorën e tyre dhe ky është i vetmi avantazh për ta, pasi tre përballjet e fundit do ti kenë përballë kundërshtarëve të vështirë si Besa, Dinamo dhe Skënderbeu. Rreth kundërshtarëve të radhës portieri i Tiranës u shpreh: “Takimet e radhës janë mjaft të vështira për ne. Përballë do të kemi Besën që na ka rivalizuar tërë kampionatin. Po ashtu edhe Dinamo nuk duhet nënvlerësuar edhe pse ata tashmë kanë dalë kampion dhe nuk kanë më motivimin e duhur për të luajtur. Ndërsa javën e fundit do të ndeshemi me Skënderbeun që gjithashtu është një skuadër mjaft e fortë. Ekipi korçar mendoj se do jetë një skuadër shumë e vështirë për tu përballur duke qenë se akoma nuk ka siguruar qëndrimin në Kategorinë Superiore”. Më tej Nallbani, gjatë fjalës së tij, nuk harroi që të nënvizonte edhe pikat e forta të klubit që do të sfidojë Tiarana këtë fundjavë, Besën. “Them se skuadra kavajase nuk ka shumë nevojë për prezantim, pasi të gjithë e njohim forcën e tyre. Mendoj se ata janë një kundërshtarë shumë i fortë për vetë faktin se na kanë rivalizuar deri më tani për vendin e dytë. Gjatë të gjithë kampionatit ata kanë luajtur ndeshje mjaft të mira dhe mendoj se edhe ajo e të shtunës do të jetë e tillë”.
Përpos vështirësisë që sheh në horizont portieri me eksperiencë i Tiranës shikon tek ndeshja me Besën mundësinë e korrigjimit të gabimeve që bëri ekipi i tij me Laçin (dy javë më parë). “Them se me një fitore që mund të arrijmë ndaj Besës ne mund të marrim vendin e dytë. Kështu fare mirë mund të korrigjojmë atë gabim që bëmë me Laçin”, - tregoi Nallbani. Bardheblutë 10 ditë më parë u mundën në Qemal Stafa me një rival direkt për Kupa e Evropës, Laçin (2-1). Megjithatë, sfida e së premtes në Kavajë, nga shumë analistë sportivë dhe gazetarë është quajtur një finale e vogël. Në fakt, nuk është kështu, pasi Besa qëndron këtë sezon më lart se Tirana, dhe e dyta, luan në “shtëpinë” e saj. Verdhezinjtë kanë në duar dy zgjidhje, të cilat do të vlenin njësoj, si fitoren, ashtu dhe barazimin, duke kujtuar se, pas Tiranës, Besa pret Gramozin. Pra, mbetet një finale për Tiranën dhe jo për Besën. “Më shumë se fitorja, më intereson argëtimi i tifozëve të mi në këtë sfidë”, - ka thënë presidenti i Besës, Bizhdili për këtë takim. Kemi detyrimin dhe kënaqësinë tu dhurojmë tifozëve tanë të mrekullueshëm një ndeshje ku ata të argëtohen. E ku më mirë se ndaj Tiranës mund ta bëjmë këtë? Sa për forcën dhe dallimin mes dy ekipeve, ju garantoj se Besa këtë sezon qëndron shumë më lart se Tirana. Për shumë e shumë arsye, ne jemi me këto pikë, sepse në fakt duhej të ishim minimumi 10 pikë sot para Tiranës, vetëm me pikët e lëna gjatë fazës së tretë. Do tu kërkoj futbollistëve të mi dhe stafit të mendojnë më shumë për të kënaqur tifozët tanë me fitore dhe spektakël ndaj Tiranës”.

Ky lajm është publikuar: 29/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›