E Diel, 1 Nëntor 2026

1971, publikohet komunikata qe vendosi marrdheniet mes Shqiperise dhe Greqise

09/01/2005  

1971

Botohet komunikata që vendosi marrëdhëniet diplomatike midis Athinës e Tiranës

Cila është deklarata që do të çonte në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Greqi-Shqipëri? Si reagoi qeveria shqiptare kundrejt formulimit të deklaratës që bënë grekët? Kur u komunikua përfundimisht vendosja e marrëdhënieve diplomatike greko-shqiptare?

“Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë përbëjnë një ndër problemet e rëndësishme të historiografisë sonë, ende të pastudiuara. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja kryesore që më ka nxitur për t’i hyrë studimit të tyre, me shpresën se ky kontribut mund t’i shërbente inteligjencës, studentëve dhe lexuesit të gjerë shqiptar”, tregon historiani Beqir Meta në librin e tij.

Botimi “Shqipëria dhe Greqia” (1949-1990), që i paraqitet lexuesit është rezultat i punës kërkimore të Metës në bibliotekat e Shqipërisë, Greqisë, SHBA, Britanisë së Madhe, Turqisë e Bullgarisë dhe në arkivat shqiptare, amerikane e britanike. Ai është vazhdim i studimit të mëparshëm me titull: Tensioni greko-shqiptar 1939-1949, botuar në vitin 2002. Në qendër të këtij botimi është situata e krijuar midis Greqisë e Shqipërisë gjatë periudhës më të gjatë të Luftës së Ftohtë, tendencat e zhvillimit të saj, përpjekjet, vështirësitë, dështimet dhe progresi që u bë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Janë pasqyruar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këtë proces si dhe rezultatet historike të tij.

Pengesa e fundit që duhej kapërcyer në procesin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Greqisë dhe Shqipërisë, ishte formulimi i deklaratës zyrtare, që do të shpallte aktin e vendosjes së marrëdhënieve. Më 8 janar 1971, pala shqiptare propozoi këtë deklaratë të thjeshtë: “Qeveria e RPSH dhe Qeveria Mbretërore e Greqisë ranë dakord të vendosin marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve dhe të këmbejnë përfaqësues diplomatik në rang ambasadorësh”. Qeveria greke e paraqiti projekt-deklaratën e saj më 19 mars, të cilën ia dorëzoi palës shqiptare ambasadori grek në Nju-Jork, Bicos. Propozimi grek ishte më i ndërlikuar. Në një trajtë të maskuar, ai synonte të përligjte përpjekjet e mëtejshme greke për realizimin e qëllimeve dhe objektivave të vjetra. Teksti i projekt-deklaratës greke ishte: Qeveria e RPSH dhe Qeveria Mbretërore e Greqisë, duke dëshiruar të normalizojnë gjendjen që ekziston tani në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe të përgatisin terrenin për zhvillimin e tyre të mëtejshëm, ranë dakord të vendosin marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve dhe të këmbejnë përfaqësues diplomatikë në rang ambasadorësh”. MPJ e Shqipërisë kishte rezerva dhe dyshime për shtesën, që ishte bërë në propozimin grek, veçanërisht për pjesët që janë nënvizuar.

Asaj i tërhoqën vëmendjen fjalët “të normalizojnë gjendjen që ekziston tani midis dy vendeve”. Nesti Nase theksonte: “sidomos fjala ekuivoke “gjendje”, ka të bëjë me gjendjen e luftës dhe, sigurisht, është vënë me qëllim që, të paktën, t`i shërbejë palës greke për interpretimin e vet, në rast se do t`i duhet ta bëjë. Me këtë shprehje nënkuptohet gjendja e luftës, të cilës, me botimin e komunikatës, i jepet fund me marrëveshje midis dy vendeve”. Edhe shprehja “të përgatisin terrenin për zhvillimin e marrëdhënieve të tyre”, vlerësohej se lidhej ngushtë me pretendimin e mësipërm dhe me propozimin e bërë nga Bicos që, “pas vendosjes së relatave diplomatike, dy qeveritë mund të shqyrtonin çështjet e mvartuna”, duke nënkuptuar këtu pretendimin grek mbi Shqipërinë e Jugut. Dyshimet e qeverisë shqiptare ishin të bazuara në eksperiencën historike, domethënë në këmbënguljen e vazhdueshme dhe të gjatë të shtetit grek për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, si dhe në faktin shumë të rëndësishëm se, ai nuk hiqte dorë nga konservimi i gjendjes së luftës me Shqipërinë, edhe pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Megjithëkëtë, qeveria shqiptare nuk donte ta humbiste rastin për përmirësimin e marrëdhënieve, pasi oferta e fundit ishte më e mira që kishin bërë grekët deri në këtë kohë. MPJ e Shqipërisë parashikonte që, ta pranonte propozimin grek, duke i bërë atij dy modifikime të vogla. Ajo përgatiti dy propozime alternative. Propozimi i parë: Qeveria e RPSH dhe Qeveria Mbretërore e Greqisë, duke dëshiruar që të normalizojnë gjendjen e marrëdhënieve që ekzistojnë tani midis dy vendeve dhe të zhvillojnë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, ranë dakord që të vendosin marrëdhënie diplomatike”.

Varianti tjetër i afrohej shumë projektit grek. Ai pohonte se, të dy qeveritë, “duke dëshiruar të normalizojnë gjendjen, që ekziston tani në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe t`i zhvillojnë këto, ranë dakord të vendosin marrëdhënie diplomatike…”.

Pra qeveria shqiptare ishte e kujdesshme që të mos linte shteg për interpretime se, ajo kishte bërë ndonjë lëshim kompromisi, çfarëdoqoftë, kundrejt pretendimeve greke për “gjendjen e luftës” ose për “Epirin e Veriut”. Këtë herë ajo arriti të realizonte synimet e saj. Komunikata e përbashkët e botuar më 6 maj 1971 në kryeqytetet e dy vendeve, theksonte se “Qeveria e RPSH dhe Qeveria e Mbretërisë së Greqisë ranë dakord që, midis dy vendeve të vendosen marrëdhënie diplomatike dhe të shkëmbehen përfaqësues diplomatikë në rang ambasadorësh”.

Teksti i plotë i komunikatës së MPJ-së të Greqisë, e botuar më 6 maj ishte: Qeveria e Mbretërisë së Greqisë dhe Qeveria e RP të Shqipërisë kanë rënë dakord të vendosin marrëdhënie diplomatike dhe të shkëmbejnë përfaqësues diplomatikë në nivel ambasadorësh. Një njoftim i ngjashëm do të bëhet në të njëjtën kohë në Tiranë. Që nga koha e nënshkrimit të marrëveshjes së dhomave të tregtisë në janar 1970, një sërë treguesish të favorshëm çuan në zhvillimin e bisedimeve për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Bisedimet u zhvilluan në Nju Jork midis të dërguarit tonë të përhershëm në OKB, zotit Bicos dhe të dërguarit të përhershëm të Shqipërisë, zotit Çoçoli. Ato zgjatën pesë muaj dhe përfunduan me marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadorësh. Bisedimet që ishin mbajtur për këtë qëllim, në të kaluarën kishin qenë të pafrytshme. Gjatë bisedimeve të fundit, të dy palët treguan një frymë realiste dhe të mirëkuptimit reciprok. Qeveria greke ka arsye të jetë e kënaqur me përmbajtjen dhe me përfundimin e bisedimeve. Procedura për akreditimin e një ambasadori grek në Tiranë, do të fillojë shpejt. Ky zhvillim duhet të konsiderohet, gjithashtu, për rëndësinë që kanë marrëdhëniet greko-shqiptare, si kontribut për forcimin e paqes në zonën e Ballkanit”.

Siç shihet, formula përfundimtare i kishte kapërcyer të gjitha orvajtjet greke, për të shtuar kleçka në formulimin e komunikatës dhe ishte pranuar propozimi fillestar i bërë nga pala shqiptare. Por kjo s`do të thotë se, qeveria shqiptare nuk kishte bërë lëshime. Madje, ato ishin shumë të mëdha. Mosinsistimi për njohjen e vlefshmërisë së kufijve shqiptaro-grekë nga Greqia, kalimi në heshtje i konservimit të ligjit të gjendjes së luftës dhe injorimi i spastrimit etnik të Çamërisë, gjatë procesit të diskutimeve dhe në deklaratën përfundimtare, ishin koncensione të mëdha, të cilat Tirana i bëri me shpresën se, vendosja e marrëdhënieve diplomatike do ta ulte tensionin. Në të vërtet tensioni u ul, por nuk u eliminua. Rreziqet dhe kërcënimet ndaj Shqipërisë mbeteshin në trajtë latente. Por kjo s`do të thotë se ata ishin tani më të vogla e më të zbehta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›