E Diel, 1 Nëntor 2026

Boris Vian, pas mekatit te verber

09/01/2005  Boris Vian

pas mëkatit të verbër

Me formatin mesatar, me numrin e faqeve (120) diçka më pak se mesatarja, me kopertinën shumënjgyrëshe e të ndezur, si dhe me fjalën “dashuri” në titull, libri “Dashuria është e verbër”, është karremi më i mirë për të “peshkuar” lexuesin.

Kur zgjat dorën për të marrë librin dhe, për një njohje fillestare, lexon kopertinën e pasme ose hyrjen, ku mëson se autori, Boris Vian, francez, ka shkruar (me pseudonim) edhe romane “seks & dhunë”, që, për një nga romanet e tij “të zinj” ka patur edhe një gjyq të bujshëm, që ka shkruar tekste këngësh shumicën e të cilave i këndonte vetë pse nuk e merrte kush tjetër përsipër interpretimin e tyre, dhe, në kontrast me të gjitha këto, të bie në sy që autori ka qenë mik me një nga shkrimtarët më të rëndësishëm francezë, dhe botërorë, të shekullit të kaluar, Zhan Pol Sartrin, ndërkohë që vetë Vian konsiderohej shkrimtar mediokër, kërkshëria të ngacmohet edhe më.

Çmimi, pika nevralgjike e lexuesit shqiptar, nuk është ndonjë sakrificë e madhe për ata që s’e kanë të vështirë të shkëmbejnë dy gota verë në restorante me një libër. Megjithatë, arsyet e vërteta për ta shtënë në dorë librin janë të tjera.

“Dashuria është e verbër”, përkthyer nga Artan Babaramo, botuar nga Ombra GVG, ofron një lexim të këndshëm. Në tregimet dhe novelat me situata fantashkencore, humori, ironia, tmerri dhe, herë herë, neveria, ndahen nga njëra tjetra me një fije floku.

Në novelën me titullin edhe librit, në qytet bie një mjegull e dendur dhe, kur “Orver Latyli u zgjua pas një gjumi treqind orësh” pati përshtypjen se “ishte verbuar”; mandej vijonë ngjarjet e çuditshme: një gruaja humbet çelësin, kur një bebe e gjen, humbet vet bebja; ditën e parë humbën një mijë e treqind e gjashtëdhjetë e dy çelësa dhe katërmbëdhjet qenër; më tej vazhdohet me një marrëdhënie erotike në një situatë surrealiste, shoqëruar po me një dialog të tillë. Kjo është dashuria, që bëhet mu në mes të rrugës, por, pasi ka rënë mjegulla e tillë sa, kur njeriu ul kokën, nuk i shikon këpucët e tij edhe sikur ta ketë numrin e këmbës 46.

Tregimi “Hidrauliku”, një nga tregimet më të bukura në vëllim, ka si pikënisje një situatë krejt anormale e cila nuk bie në sy si e tillë deri sa dikush troket në shtëpinë ku hidrauliku kishte shkuar të bënte punime, dhe zbulohet kështu gjithë keqkuptimi i cili është i justifikuar nga një steriotip i vënë re në gjithë familjet – që për të mos ia zbehur kënaqësinë lexuesit nuk po e treojmë gjer në fund.

Tek “Rënia” bëhet fjalë për dikë që vendos të bëjë “diçka zbavitëse”, “t’u hedhë një sy njerëzve”, duke i parë në zbritje, gjatë rënies nga një godinë njëqind e dhjetë katëshe.

Por qerishia e tortës janë “Milingonat”. Një rrëfim nga fronti, nga dikush që përreth i bien predha e vriten njerëz, ndërsa ai kur ecën mbrapa tankut, për shembull, tregohet i kujdeshëm të mos jetë i pari “sepse nuk ua kam shumë besën frenave të këtyre aparateve”. Ja si e përshkruan situatën kur pranë shokut të tij bie një predhë: “Ai ngriu në moment, siç duket kështu ndodh kur vdes i lodhur, gjithsesi ishte më praktike për ta hedhur në sup.” Ka edhe situata që mund të duken cinike, por autori është i vetëdijshëm edhe për këtë, dhe kështu ai nuk harron të tregojë, shkaqet e këtij qëndrimi: zakoni i dobëson përshtypjet. Ndërkohë që libri vetë të fton të bësh të kundërtën, ta kthesh në zakon leximin e tij pse vështirë të shijohet veç me një lexim.

Çelo Hoxha

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›