E Hënë, 2 Nëntor 2026

2 mijë qytetarë rrëzojnë piramidën e korrupsionit

10/12/2004  Rreth 2 mijë qytetarë të Tiranës kanë kërkuar para sheshit "Skënderbej" luftë reale ndaj korrupsionit në administratën e lartë të shtetit. Thirrjes së zyrës për mbrojtjen e qyetarëve, në një manifestim në ditën mbarëkombëtare të luftës kundër korrupsionit, banorët e Tiranës iu përgjigjen me parulla "luftë korrupsionit". Në vendin ku dikur qëndronte busti i diktatorit Enver Hoxha, ishte ngritur një piramidë, e cila simbolizonte korrupsionin. Në përfundim të protestës, kanë qenë vetë qytetarët, të cilët, pasi kanë shkruajtur akuza ndaj qeveritarëve, e kanë rrëzuar dhe më pasi e kanë djegur, duke nënkuptuar kështu dhe zhdukjen e të korruptuarve. Organizuesit ishin kujdesur që kjo protestë të ishte larg politikës. Madje, gjatë fjalimeve politikanët u cilësuan fajtorët kryesor për përhapjen e këtij fenomeni në Shqipëri. Gjithçka në protestën e djeshme i ishte kushtuar luftës kundër asaj që u cilësua si një gangrenë, e cila sjell dhe varfërinë e tejskajshme, mungesën e vendeve të punës, monopolizimin e ekonomisë në duart e një grupi individësh të veshur me pushtet. Parullat "Me korrupsion paguajmë të gjithë" jo vetëm që gjendeshin ngado, por shoqërohej nga një objekt fluturues, që me këtë parullë përshkoi gjithë Tiranën.

Deklaratat

Drejtori i Përgjithshëm i CAO-s, Kreshnik Spahiu, e lidhi ditën e luftës kundër korrupsionit me 14-vjetorin e ngritjes së studentëve në protestë kundër diktaturës komuniste. "Lufta kundër korrupsioni është po aq e rëndësishme sa dhe lufta kundër komunizmit 14 vjet më parë. Ne jemi pjesë e një lufte globale dhe mbarëbotërore, e cila mbështetet nga forcat më aktive të drejtësisë dhe shoqërisë civile. Korrupsioni është një e keqe e madhe, e cila po e mban Shqipërinë ende të izoluar nga integrimi evropian. Sot është dita ku i themi politikanëve dhe qeveritarëve të korruptuar se jeta dhe karriera e tyre nuk do të jetë kaq e gjatë sa t’i shpëtojnë përjetë drejtësisë", tha Spahia. Sipas tij, niveli i korrupsionit në Shqipëri është tre herë më i lartë se çdo vend tjetër në mbarë botën. Këtë e ka pohuar dhe një përfaqësues i Këshillit të Evropës, i cili theksoi se dhe pse Shqipëria është e para në tryeza antikorrupsion, populli shqiptar nuk ka besim në administratë, pasi e cilëson të korruptuar. "Sot, në gjithë botën, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, organizatat bashkëpunëtore antikorrupsion do ushtrojnë presion ndaj qeverive dhe parlamenteve për të ratifikuar Konventën e Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit", përfundoi Spahiu. Në protestë e mori fjalën aktori Mirush Kabashi, i cili recitoi poezinë "Hakmarrja", ku vlerësoi me trishtim se korrupsioni në administratë po mbyt popullin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›