E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugedalja humor i zi nga Kosova

10/12/2004  Rrugëdalje

Tre djem të rinj të "ngujuar" në një apartament. Tre shokë që përpiqen të ndihmojnë njëri-tjetrin të jetojnë. Po kush janë "gjaksat"? Ata nuk shihen, nuk shfaqen por dëgjohen... Ata flasin një gjuhë tjetër, kontrollojnë botën aty jashtë, kanë armë dhe qëllojnë çdo gjë të gjallë që lëviz në rrugë. Tre të rinj që gati-gati kanë frikë të "marrin frymë". Flasin më zë të ulët, grinden me njëri-tjetrin, pajtohen sërish, por frika është e vetmja gjë e përbashkët, e vetmja ndjenjë që i ka "pushtuar" të tre. Aty jashtë nuk dihet se ç'ndodh. Ndoshta ata duan ta dinë, por frika nga "gjaksat" (gjakatarët) e armatosur deri në dhëmbë, i gozhdon brenda katër mureve, ku ata vazhdojnë të jetojnë situata tragjikomike të pafund. Tmerri i lë vendin zëmrimit, zëmrimi kthehet në humor, humori përsëri në tmerr. Një rreth vicioz ndjenjash i bashkangjitetet izolimit brenda katër mureve. U hahet, por ushqime kanë shumë pak. Duan të pijnë cigare, por u janë mbaruar. Duan të shkojnë të blejnë, por kanë frikë. Këta tre presonazhe kafkianë për pak humbasin besimin te njëri-tjetri. Qenka e vështirë të mbijetosh i mbyllur nga frika, nga frika se dikush tjetër do të të vrasë, vetëm e vetëm se nuk flet të njëjtën gjuhë me ta. Mos ndoshta kjo përbën një krim...? Aspak do të thoshte dikush. E megjithatë kjo ka ndodhur. Ndodhi edhe në Kosovë. Të rinjtë kanë një dëshirë të pafund të pijnë cigare, por edhe makaronat pothuajse kanë mbaruar. Dikush duhet të shkojë. Po ku? Të dalësh jashtë është baraz me vdekje. Por edhe po të rrish brenda do të ndodhë e njëjta gjë. Cigare, duhet të gjejnë me çdokusht cigare. Ndonjë dyqan edhe duhet të jetë hapur. Po "gjaksat"? Ndoshta nuk i shohin. E njëri prej tyre vendos të dalë. Vetëm pak minuta më vonë dëgjohen të shtëna. Minuta ankthi të pafund... Më pas heshtje. Heshtja është e rëndë. Ishin tre dhe mbetën dy. Po edhe për sa kohë vallë? Askush s'mund të thotë prej sa kohësh janë "ngujuar" dhe për sa kohë do të vazhdojnë të jenë të tillë. Nuk kanë askënd tjetër veçse vetveten. Një boshllëk i madh. Dritare nga ku nuk mund të shohin. Derë nga ku nuk mund të dalin. Përpos kësaj ushqimet po mbarojnë. Sa orë kanë kaluar, sa ditë, sa janë? Askush nuk e di e askush nuk do të dijë. Nocioni kohë ka pushuar së ekzistuari. Ditë apo natë s'ka fare rëndësi. Ushqimet po mbarojë, mos vallë edhe shpresa. Dëgjohen të trokitura. Kush mund të jetë? "Gjaksat" jo. Ata nuk trokasin. Atë qëllojnë dhe shfarosin gjithçka. Një derë që hapet dhe i treti, që për çudi të dy të tjerëve jo vetëm është gjallë, por ka sjellë edhe cigare..., ka sjellë edhe lajme, ka edhe histori për të treguar, por të tjerët duan cigare në fillim e pastaj lajme. Po si t'i ndjanë cigaret? Situat komike ripërsëriten. Cigare ka shumë pak për aq sa kanë nevojë ata. Ato mbarojnë shpejt, shumë shpejt. Duhet të gjejnë një rrugëdalje. Po si? Ajo është vetëm një: Më mirë një fund i tmerrshmë, se një tmerr pa fund. Dera hapet dhe tre silueta dalin jashtë... Kjo ishte "Rrugëdalja" (titulli i filmit artistik) që dy vajzat kosovare, Lindita Zeqiraj dhe Blerta Zeqiri, prezantuan dje në Tirana Film Fetival. Një balck comedi, (a la Stoun dhe me pak ndikim Angjelpopulo) që u duartrokit gjatë nga shikuesit. Me shumë zgjuarsi, skenari të bënte të qeshje e të qaje. Lufta ishte sa larg e aq pranë me të gjitha tmerret e saj, por kamera kurrrë nuk doli jashtë katër mureve. Një film që do të mbahet mend gjatë, sidomos prej atyre që kanë përjetuar situata të ngjashme dhe që mbijetuan.

box

"Për Anjezën"

Ndoshta të gjithë kemi të afërm të afërt që mund të kemi kohë pa i parë. Por, të paktën për ne shqiptarët do të ishte pak anormale, të mos njihnim tezen, xhaxhain, dajën, hallën etj. Por ja që kjo ndodh dhe ndodh rëndom. Njerëzit ndahen për arsye të ndyshme dhe nuk takohen më, po për arsye të ndryshme. Kështu edhe personazhi i regjisorit italian Massimo Cappelli, djali i Anjezës (e cila është italiane, por që u martua dhe jetoi në Zelandën e Re), vjen në Itali për herë të parë në jetën e tij, për të rregulluar çështje trashëgimie, pas vdekjes së nënës së tij, Anjezës. Në shtëpinë e prindërve të nënës së tij, ai do të takojë për herë të parë në jetën e tij, tezen. Ajo ka vendosur të jetojë në një azil. Eshtë vetë dhe vetmia është e rëndë. Në jetën e saj nuk pranoi të martohej. Por edhe nipi i saj, ish i martuar, nuk ka fëmijë. Të dy të vetmuar. Histori që përngjasin. Ngjarje që shkojnë e vijnë dhe ku kujtimet, sado të largëta nuk harrohen letra të pafund, të padërguara, të "harruara" në një sirtar. Një nip i "mbirë" nga Zelanda e largët, do të merret me gjithçka, për të kthyer përsëri po andej nga erdhi. Jeta është plot me të papritura, por kujtimet nuk ndryshojnë. Ato mbeten për herë thellë në kujtesë dhe vlaga e kohës jo vetëm që nuk mund t'i ndryshojë, por në të kundërtën t'i bën më të çmueshme. Si mund të ishim ne pa kujtesën, pa kujtimet? Të mjeruar. Bosh. Ndoshta grindjet, mëritë, distancat mund të na mbajnë larg, por kujtimet nuk largohen kurrë dhe as mund të humbasin. Ato janë pjesa më e bukur që "krijuesi" i ka dhuruar qenies njerëzore. Aty ku duket sikur diçka mbaron, fillon një tjetër...

"Hitchkoku" spanjoll në metrazh të shkurtër

Një horror i vërtetë hitchkokian u prezantua nga Xavi Sala, djaloshi spanjoll në ditën e djeshme. Vetëm pesë minuta ishin të mjaftueshme për të prezantuar ngjarjen. Dy motra 14-vjeçare (binjake natyrisht), mesa duket nuk kanë patur mardhënie të mira me prindërit e tyre. Mosmarrveshjet duhet të kenë qenë të mëdha, por mesa duket dy vajzat e reja kanë gjetur një zgjidhje që i bën ato të qëshin shumë. Ato janë të lumtura pasi mirkuptimi i tyre me prindërit do të jetë i përhershëm. Nuk do të kenë kurrë arsye të grinden apo të mos kuptohen. Prindërit e tyre ndodhen në dhomën tjetër, të qetë, të shtrirë në krevat... me nga një thikë secili në shpinë...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›