E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rrezikohet votimi i hartës elektorale

10/12/2004  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka dërguar për miratim në parlament ndarjen e re zonale, por që prej shtatë ditësh ia ka paraqitur Institutit të Gjeografisë për të bërë rakordimin e ndarjes elektorale me vijëzimet konkrete në hartë. Ky veprim rrezikon mosmiratimin e projektligjit për ndarjen e re zonale brenda legjislaturës të Kuvendit, e cila mbyllet më 24 dhjetor. Burime zyrtare në KQZ shprehen se dërgimi në Institutin e Gjeografisë është faza përfundimtare e procesit të ndarjes elektorale. Por ky veprim i KQZ-së nuk është mirëpritur nga opozita, që e cilëson si një tentativë për të bllokuar miratimin e hartës nga Kuvendi. Anëtari i KQZ-së, Dodë Prenga, është shprehur se raporti, sipas përllogaritjeve duhet t'i ishte dorëzuar KQZ-së që në shtator të këtij viti, por anëtarëve të komisionit iu dorëzua në dhjetor. "Duket se ka një vonesë në këtë çështje, por shpresojmë që të përfundojë në kohë, pasi jemi në limitet e saj. Edhe në rastin konkret, kur diskutimi u hap më 6 tetor, raporti duhet t'i kishte ardhur KQZ-së më 6 nëntor. Pra, është shtyrë tre javë", tha Prenga.

Deputeti i PD-së, Fatos Beja, që është dhe anëtar i Komisionit të Ligjeve, rikthimin e draftit në Institutin e Gjeografisë e ka konsideruar si një pretekst të maxhorancës dhe KQZ-së për të shtyrë zhvillimin e zgjedhjeve. I pyetur nga "Metropol" për këtë çështje, ai u përgjigj: "Unë di të them se projektligji për ndarjen e re zonale nuk ka mbërritur akoma në parlament, megjithëse është miratuar prej më shumë se 7 ditësh. Kjo bëhet me qëllimin e thjeshtë për të vonuar miratimin e tij në parlament, dhe si rrjedhojë për të shtyrë afatin e zgjedhjeve të qershorit. Edhe në rast se paska lindur vërtet nevoja për të kaluar dhe një herë në duart e gjeografëve sërish ky proces, nuk ka pse vonohet më shumë se dy ditë. Pra, gjithçka është e qartë se me hartën e re zonale po luhet loja e kungulleshkave, dhe po shfaqet dhe një herë haptazi vullneti i munguar i mazhorancës për të miratuar ndarjen e re zonale".

Votimi

Ndarja e re zonale u votua në KQZ më 1 dhjetor të këtij viti. Harta u kundërshtua nga socialistët, të cilët e konsideruan si antikushtetuese. Sipas mazhorancës, ndarja territoriale duhet të bëhet në bazë të listave të zgjedhësve dhe jo të numrit të atyre që kanë votuar së fundi, siç ka vepruar komisioni i posaçëm i ngritur për të hartuar këtë projektligj. Nga ana e opozitës, projektligji për ndarjen e re zonale u pranua ashtu siç u paraqit në KQZ. Sipas tyre, ndarja e re zonale është më e mire se ajo që është hartuar në vitin 2000. Projektligji për ndarjen e re zonale në bazë të Kodit Zgjedhor duhet të miratrohet në parlament të paktën 6 muaj përpara se të zhvillohen zgjedhjet. Duke parë se zgjedhjet zhvillohen gjatë periudhës, fundqershor-fillimkorrik, ndarja e re zonale duhet të miratohet brenda muajit janar. Ndryshe, kontestimi i zgjedhjeve do të nisë ende pa u zhvilluar ato, duke vënë në rrezik procesin e integrimit.

Reagimet

Beja

Gjithçka është e qartë se me hartën e re zonale po luhet loja e kungulleshkave, dhe po shfaqet haptazi vullneti i munguar i mazhorancës për të miratuar ndarjen e re zonale që është një kërkesë bazë e OSBE-së

Prenga

Diskutimi duhet të kishte nisur puna për raportin e ndarjes elektorale që në gusht.

Sipas llogaritjeve, KQZ duhet të kishte përfunduar draftin që më 26 shtator, por anëtarëve të komisionit iu dha në dhjetor

Problemi

Ndarja e re elektorale është dërguar edhe një herë në Institutin e Gjeografisë për të bërë rakordimin të ndarjes elektorale me vijëzimet konkrete në hartë. Ky veprim rrezikon mosmiratimin e projektligjit brenda legjislaturës aktuale të Kuvendit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›