Qeveria shpenzon më shumë se sa thotë
10/12/2004 Çdo vit qeveria harton buxhetin, që është dhe dokumenti zyrtar mbi të cilin justifikohen të gjitha shpenzimet dhe pritet të realizohen të ardhurat. Mënyra se si qeveria e harton këtë buxhet dhe planifikon shpenzimet, sidomos ato publike, është dhe çelësi i zbatimit me sukses të tij. “Vihet re gjithmonë një devijacion mes planifikimit dhe realizimit të shpenzimeve publike”, thotë Albert Gajo, anëtar i Qendrës Evropiane për Kërkim dhe Zhvillim në Tiranë. Kështu duket se ajo çfarë harton qeveria dhe miraton parlamenti, mbetet një dokument që kontrollohet dhe zbatohet vetëm nga qeveria, sepse parlamenti nuk ka më asnjë lloj kontrolli mbi zbatimin efektiv të buxhetit. “Parlamenti nuk ka kontrollin e duhur, por dhe legjislacioni i jep mjaft kompetenca qeverisë”, thotë Albert Gajo. Duket se këtu fillon dhe problemi, sepse nga specialistë që e hartojnë buxhetin dhe deri tek ata që e zbatojnë, ekziston një hendek i madh. “Ministria e Financave ka një staf mjaft të mirë dhe të përgatitur, por ministritë që zbatojnë buxhetin, vuajnë nga mungesa e specialistëve që njohin mirë financat publike”, shprehet Gajo. Kështu duket se qeveria shqiptare në momentin e hartimit të shpenzimeve për 2004-ën ka harruar një fakt të rëndësishëm. Plani për shpenzimet në 2003-shin ka qenë 21 miliardë lekë, ndërkohë që janë shpenzuar 27 miliardë lekë. Por në 2004-ën, qeveria ka planifikuar të shpenzojë sërish 20 miliardë lekë, pavarësisht se një vit më parë ka harxhuar plot 6 miliardë lekë më shumë se parashikimi. Devijacione nga plani i shpenzimeve me atë faktikun duket se kanë dhe sektorë si ministria dhe shëndetësia, që kanë një realizim mjaft të dobët. Nga ana tjetër, sektorë si strehimi, kanë shënuar si rrallë herë tejkalimet më të mëdha në planin e shpenzimeve. Kështu në vitin 2000, kur deputetët dhe ministrat morën kredi për të blerë shtëpi nga Buxheti i Shtetit, përiqndja e shpenzimeve për strehim arriti në 642 për qind të GDP–së. Ajo që bie më shumë në sy gjatë analizës së grafikëve mbi shpenzimet e të gjithë sektorëve në vite, është përqindja e ulët e shpenzimeve në raport me GDP–në. Kështu, në 2003-shin, Shqipëria ka shënuar një nivel të shpenzimeve buxhetore në raport me PBB 28.8 për qind, ndërkohë që të ardhurat kanë qenë 24 për qind dhe defiçiti buxhetor i regjistruar 5 për qind. Këto shifra e rreshtojnë Shqipërinë në vendet e fundit të Evropës Juglindore, të cilat duket se kanë një përqindje shumë të lartë të shpenzimeve buxhetore. “Shqipëria ka nivelin më të lartë të barrës fiskale dhe për të bërë të mundur rritjen e të ardhurave dhe më pas dhe të shpenzimeve publike, mbetet vetëm që qeveria të forcojë luftën kundër evazonit dhe të rrisë bazën e tatueshme”, e shpjegon këtë fakt, Albert Gajo. Duke u referuar gjithnjë të dhënave buxhetore të 2003-shit, mund të themi se vende të Lindjes, si Bullgaria, shpenzojnë 38.5 për qind të GDP–së për shpenzimet publike, për të mos folur për vende tepër të zhvilluara si Suedia, që harxhojnë 59.2 për qind të GDP -së. “Kjo është karakteristikë e vendeve të zhvilluara dhe ekonomisti gjerman Wagner, ka parashikuar përpara 100 vjetëve, se sa më shumë të zhvillohen vendet, aq më e lartë do të jetë përqindja e shpenzimeve publike në raport me GDP–në”, thotë Gajo. Duket se Shqipëria është akoma shumë larg këtij realiteti.