E Diel, 1 Nëntor 2026

2 mijë shqiptarë për Madonën në Budva

 

Janë rreth 2 mijë shqiptarë, që do të shohin nga afër, koncertin e mbretëreshës së popit, Madona, në Budva. Shifra këto të konfirmuara dy javë para koncerti të saj, që do të mbahet në datën 25 shtator në plazhin Jaz të Malit të Zi. Organizatorët e këtij koncerti të parë, të konsideruar si një nga ngjarjet më të madhe në Evropën Juglindore, kanë bërë të ditur dje në Tiranë, shifrat ekzakte dhe detajet rreth këtij eventi. Të pranishëm në një konferencë për shtyp në ambientet e “Hotel Tirana International”, Jelene Ragjenoviç, drejtoresha e organizatës turistike të komunës së Budvës, është shprehur se për shqiptarët biletat e thjeshta kushtojnë 39.6 euro, ndërkohë paketa e plotë, në të cilën përfshihet udhëtimi me autobus dhe akomodimi për një natë kushton 120 euro. Por shifra nuk është vetëm kjo. Për biletat VIP, çmimi i biletës dhe akomodimit shkon 325 euro. Deri tani numri i biletave të shitura arrin në 36 mijë. Sipas organizatorëve, mësohet se koncerti do të nisë në orën 20:00 dhe do të zgjasë dy orë. Koncerti do të paraprihet nga këngëtarja suedeze Robin. Ndërkohë mbretëresha e muzikës, do të qëndrojë për tri ditë me radhë në Budva. Me vete Madona do të sjellë kuzhinierin personal dhe për stafin që do ta shoqërojë janë porositur plot 300 peshqirë dhe 300 sapunë. Gjatë dy orëve të koncertit Madona do të interpretojë këngë nga albumi i saj i fundit “Hard Candy”, në kuadër të turit botëror “Sticky end Sweet”, ndërkaq këngëtarja e famshme nuk do të japë konferencë për shtyp në Budva.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›