E Diel, 1 Nëntor 2026

Pengu i SHIK-ut: Rrëfej torturat në Vain

Ziso Kristopulli, dëshmitari kryesor në dosjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës tregoi dje para togave të zeza të Krimeve të Rënda për torturat që i janë bërë atij dhe dy viktimave, të dhunës shtetërore, Remzi Hoxha dhe Avdyl Loshaj në vitin 1995. 

Fatos Mahmutaj

Për rreth dy orë, 61-vjeçari Kristopulli rrëfeu ngjarjen e rëndë të tetorit 1995, që nga momenti i rrëmbimit në Sarandë e deri në torturimin në bazën sekrete të SHIK në Vain të Lezhës. Gjatë deklarimeve ai përmendi se i ishin komunikuar nga personat që e torturonin dhe e merrnin në pyetje tre akuza: Tentativa e vrasjes së Agron Musarajit, ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe; përfshirja në trafik armësh dhe droge; si dhe përfshirja e tij në një lëvizje për sabotimin e referendumit për Kushtetutën në vitin 1994. Por sipas dëshmitarit, ai ishte detyruar përballë presionit fizik dhe psikologjik të firmoste çdo gjë që i kishin servirur personat që ushtronin dhunë ndaj tij. Në seancën e djeshme në sallën e gjyqit nuk ishte asnjë prej të pandehurve: Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro. Dëshmitari i djeshëm ka konfirmuar se që nga shoqërimi i tij deri në mbajtjen në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain, nuk kishte parë në asnjë moment të pandehurin Arben Sefgjini për të cilin Kristopulli tha se e ka parë vetëm në gazeta dhe TV. Më parë në këtë proces ka qenë i pandehur edhe ish-inspektori i SHIK në Vain, Budjon Meçe, por çështja e tij është ndarë për shkak të gjendjes së komës, në të cilën ai ka rënë rreth gjashtë muaj më parë.
Gjykata: Gjeneralitetet dëshmitar?
Quhem Ziso Kristopulli i vitlindjes 1947, lindur dhe banues në Ksamil, Sarandë. Në profesion jam specialist bujqësie, ndërsa aktualisht administroj një pulari dhe një lokal, burimi i të cilave është një kredi dhe privatizimi.
Tregoni për ngjarjen e 21 tetorit 1995
Më 21 tetor 1995 në lokalin tim u paraqitën disa persona që mu prezantuan si punonjës të KLSH-së dhe më kërkuan që të hipja në makinën e tyre pasi donin të më merrnin me vete. Kundërshtova. Por pak minuta aty mbërriti një oficer i policisë kriminale të Sarandës, i cili më tha se duhet të shkoja me ta. Hipa në makinë me ta, dhe pasi mbërritëm në Sarandë, pa humbur kohë u nisëm drejt Tiranës. Nga personat që më shoqëronin mbaj mend njërin prej tyre, është Avni Koldashi. Më kujtohet se të gjithë i thërrisnin “shef”. Ky më solli në Tiranë, më pas u nisëm drejt Lezhës dhe pasi më dorëzoi në Vainë, më dha dorën dhe më tha “dalsh faqebardhë”.
Ç’ndodhi në bazën e SHIK në Vain?
Aty kanë nisur të më keqtrajtojnë. Agjentet e SHIK më detyruan me forcë të firmosja dokumente, që më akuzonin për trafik armësh me Serbinë, sabotim të kushtetutës dhe tentativë vrasjeje të ish-ministrit të Brendshëm Agron Musaraj. Duke mos duruar torturat firmosa se e njihja edhe Remzi Hoxhën, për të cilin thashë se e kisha bashkëpunëtor. Më tej më akuzuan të kem transportuar armë. U thashë që nuk kam transportuar armë.
Më thanë: “I dimë të tëra. Por ti duhet të nënshkruash, madje të tëra se i di vetë ti. Falsifikator i vjetër i referendumit të Kushtetutës. Ke marrë vulën në Serbi dhe ke vendosur të tëra fletët e referendumit që humbën nga kushtetuta në 1994”.
Akuzë shumë e rëndë, u thashë. “E ke bërë?”, më pyetën.
“Jo nuk e kam bërë”, u përgjigja. “Atëherë e ke bërë në bashkëpunim me Armandon”, më thanë. Armandon u thashë që e njoh që më 1995. E kam deklaruar njëherë, se erdhi 15 ditë me pushime.
“Jep po deshe deponime”, më thanë. “Jo”, u thashë. Duke u hallakatur bëhet nuk bëhet, edhe atë e shkruajta. U thashë: “Nuk kam qenë asnjëherë në Serbi, po deshët merrni pasaportën time dhe verifikojeni”. Më thanë, që ke qenë, madje ke ndenjur edhe në Shkodër prej nga ke organizuar trafikun bashkë me Remziun. Akuza e tretë ishte atentati kundër ministrit të Brendshëm Agron Musaraj. Kjo për faktin se Agron Musaraj në atë kohë ishte me pushime përballë lokalit tim. Nejse pasi përfunduan këto tre akuza, unë i shkruajta të treja me përplasje dhe me rrahje. Më tërhiqnin zvarrë nëpër shkallë në qoshe. Më qëllonin me kamxhik, pastaj më hidhnin ujë të vija në vete. Ai që më qëllonte më rrihte dhe godiste vend e pa vend. Shputat e këmbëve ishin parësorja ... barku, por një moment filloi t’iu binte gjunjëve.
Për këto kam pasur shumë pasoja.
Çfarë pasojash keni pasur?
Mushkëria mu ça si pasojë e rrahjes, kështu që për t’u kuruar mu desh të shkoja në Greqi ku u shtrova në një spital. Ndërsa nëpër të gjithë trupin kam shenja plagësh nga goditjet.
I njihnit më parë Avdyul Loshajn dhe Remzi Hoxhën ju?
Avdyl loshajn e njihja para rrëmbimit. Ai kishte bërë pushimet në lokalin tim. Kurse Remzi Hoxhën e njoha për herë të parë në dhomat e torturës në Lezhë (Vain). Aty dëgjova të bërtiturat e tij nga torturat.
Po të pandehurit i njihni?
Avni Koldashin e njoh. Nuk kam asnjë akuzë për rrahje ndaj tij. Ka pasur një sjellje shumë të mirë me mua. Arben Sefgjinin nuk e njoh. Si fytyrë nuk mund ta përshkruaj. Është një trup i gjatë e kam parë nëpër gazeta dhe televizion. Ilir Kumbaron nuk arrij ta identifikoj. Kurse Budjon Meçen e kam identifikuar në qelitë e burgut 313 gjatë arrestimit të mëparshëm.
Prokurori: Gjatë hetimeve thoni që e njihni Arben Sefgjinin?
E njoh vetëm nga gazetat. Mbaj mend që më ka rrahur vetëm Budjon Meçe.

Vëllezërit e Remziut: Gazidede na tha: “Mos u merrni me atë punë”

TIRANE – Nexhemdin, Het’hem dhe Nebi Hoxha, tre vëllezërit e Remzi Hoxhës, biznesmenit shqiptaro-maqedonas të zhdukur nga SHIK në tetor 1995 dëshmuan dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda për hetimet dhe kërkimet që kishin bërë për vëllanë. Nexhmedini gjatë deklarimeve të tij tha se ndërhyrjet e tyre në kërkim të vëllait kishin arritur deri te institucionet shtetërore shqiptare dhe maqedonase. Sipas tij, ambasada e Maqedonisë në Tiranë dhe oficeri i kontaktit në këtë ambasadë, i cili ishte përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme maqedonase na dha zyrtarisht një dokument me të cilin vërtetohej se Remzi Hoxha nuk ishte arrestuar apo rrëmbyer kurrë në Shqipëri. “Ndërkohë pas ndërhyrjeve tona në SHIK mësuam se Remzi Hoxha akuzohej për trafik droge dhe armësh, si dhe spiunazh për llogari të shërbimeve sekrete serbe”, tha Nexhmedin Hoxha në fjalën e tij. Ndërsa Het’hemi gjatë fjalës së tij tha se me anë të një miku personal të Bashkim Gazidedes kishin mbërritur deri të zyra e kreut të shërbimit sekret shqiptar, pas refuzimeve të përsëritura të tij për t’i takuar. Aty Gazidede u kishte pohuar shkurt: “Mos u merrni më me atë punë”. Të tre vëllezërit pohuan se kërkon vetëm eshtrat e Remziut për t’i bërë ceremoninë mortore.                  f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›