Ari Han: Dua një fitore me shumë gola
Jetmir Halilaj
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han ka thënë se Shqipëria do të luajë një lojë sulmuese sot kundër Maltës, sepse ai pret vetëm fitoren në këtë ndeshje. Madje edhe nëse tre pikët merren pas një fitoreje minimale (1-0), ai nuk do të ishte aspak i kënaqur. Në konferencën e djeshme për shtyp ai ka bërë të ditur se do të luajë vetëm me një sulmues, por kjo sipas tij nuk do të thotë se kuqezinjtë do të zhvillojnë të njëjtën lojë ashtu si kundër Suedisë, pra të përqendrohen më tepër në mbrojtje. “Kundër Maltës do të luajmë për fitore. Do të jetë një ndeshje komplet ndryshe, pra do të jemi në ata që do të sulmojmë. Kundërshtari ynë ka të ngjarë të jetë një skuadër që edhe mund të luajë me 8-9 lojtarë në mbrojtje, kështu që duhet të përpiqemi të krijojmë raste për të shënuar të paktën një gol. Do të bëjmë një lojë tërësisht sulmuese, por mbrojtja jonë nuk duhet të humbasë vëmendjen. Të njëjtën skemë ne e kemi aplikuar në stërvitje. Do të bëjmë të njëjtën lojë sulmuese si kundër Lihteshtejnit”, ka thënë Ari Han.
Si do të luajë Shqipëria kundër Maltës, me një apo me dy sulmues?
Ajo çka mund t’u them unë është se Shqipëria do të zhvillojë një lojë krejt tjetër nga ndeshja me Suedinë, çka do të thotë se do të luajë më tepër në sulm. Për ta fituar ndeshjen na duhet të shënojmë gola dhe për ta bërë një gjë të tillë nuk do të jetë e lehtë nëse nuk përqendrohemi dhe nëse nuk zbatojmë si duhet detyrat taktike.
Shqipëria ka treguar se e ka të vështirë të bëjë 2 ndeshje të mira radhazi. Çfarë keni ndërmend të bëni për ta thyer këtë tabu?
Po, jam në dijeni të këtij fakti dhe po ju them se pas Suedisë e kam kritikuar skuadrën që në pjesën e dytë luajti tepër e frikuar dhe thuajse totalisht e përqendruar në mbrojtje. Ne duhet ët guxojmë më tepër sepse vetëm kështu mund të shpresojmë te fitorja. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe do të bëjmë disa ndryshime edhe në formacion, të cilat sipas meje do të prodhojnë një lojë më ofensive.
Kjo do të thotë se do të luajmë me dy sulmues?
Jo, nuk do të thotë këtë. Edhe Holanda luan një lojë ofensive, por luan vetëm me një sulmues, Nistëlroin, apo ndonjë tjetër. Kur them se do të luajmë në sulm, kjo nuk do të thotë se do të luajmë patjetër me dy sulmues. Ekipi sulmon në grup dhe mbrohet në grup. Dhe po ju them se do të luajmë sërish me një sulmues, por ndryshe nga Suedia.
Sa njohuri keni mbi Maltën?
E di shumë mirë se si luajnë dhe se me çfarë skeme do të luajnë kundër nesh.
Për mediat holandeze keni thënë se mund të renditemi të 2-tët?
Nuk është e vërtetë. Kam thënë se Portugalia është favoritja e vetme në këtë grup dhe se të gjitha skuadrat e tjera mund të renditen në vendin e dytë ose në vendin e pestë apo të gjashtë.
Po provoni Canën në mbrojtje, përse ky ndryshim?
Unë jam trajneri dhe kam të drejtë të bëj prova apo jo? Cana është një lojtar që luan në shumë role dhe unë dua ta shoh atë edhe në qendër të mbrojtjes. Ka shumë mundësi që ai të luajë në qendër të mbrojtjes nesër (sot), por kjo nuk është përfundimtare.
Ka pasur një përplasje dje mes Kapllanit dhe Curri...
Po, por nuk ishte për t’u ekzagjeruar aq shumë sa e keni bërë ju (gazetarët), pasi gjëra të tilla edhe ndodhin në stërvitje. Megjithatë, ne do të marrim masa që kjo të mos ndodhë më.
Pas barazimi me Suedinë, si është gjendja psikologjike e ekipit?
Shumë e mirë. Ju e keni vënë re këtë në stërvitje apo jo.
A i druheni euforisë?
Unë mendoj se janë të gjithë profesionistë dhe do të dinë të sillen si duhet në fushën e lojës.
A i druheni gjyqtarit austriak? Shpeshherë Shqipëria u ndëshkua nga gjyqtarët?
Po, është e vërtetë se ndonjëherë skuadrat penalizohen nga gjyqtarët, por kjo s’do të thotë se duhet të jetë patjetër Shqipëria që penalizohet çdo ndeshje. Unë kam besim te gjyqtari, sepse ai si çdo njeri tjetër do të përpiqet të bëjë më të mirën.
Si do të konsideronit një humbje të mundshme kundër Maltës?
As që e imagjinoj dot. Nuk di çfarë të them për këtë.
Trajneri i Maltës kërkon pikë në Tiranë
Malta shpreson që të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e sotme kundër Shqipërisë. Këtë e ka pohuar trajneri i kësaj skuadre Dushan Fitzel, i cili ka thënë se ekipi i tij nuk ka asgjë për të humbur në këtë ndeshje, ndaj do të tentojë të bëjë gjithçka. “E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë ajo përballë Shqipërisë – ka thënë tekniku i maltezëve - por ne nuk kemi asgjë për të humbur. Do të japim maksimumin tonë për të provuar të marrim pikë në Tiranë”. Ndërkaq edhe portieri i Maltës, Xhastin Haber ka thënë se kundër Shqipërisë skuadra e tij i ka të gjitha mundësitë që të marrë një rezultat pozitiv. “Shqipëria do të jetë testi i ardhshëm për skuadrën tonë. Ne duhet ta lëmë pas humbjen me Portugalinë sa më shpejt që të jetë e mundur. Sigurisht që do ta analizojmë takimin me portugezët dhe besoj se nga ajo humbje e thellë, ne mund të nxjerrim diçka pozitive nga paraqitja jonë aspak e mirë”, tha portieri maltez.