Asistenca, Komisioni Evropian 5.5 milionë euro për policinë shqiptare
TIRANE – Ministria e Brendshme dhe policia shqiptare zhvilluan dje takimin e parë me përfaqësuesit e projektit të asistencës policore të Komisionit Evropian në Shqipëri, “PAMECA III”, me vlerë 5.5 milionë euro. Prezantimi i misionit “PAMECA III” është bërë në një takim ku ishte i pranishëm ministri i Brendshëm, Nishani, ai i Drejtësisë, Alibeaj, kryeprokurorja Ina Rama, zyrtarë të Komisionit Evropian dhe drejtuesit e policisë shqiptare. Në takimin e djeshëm, ministri i Brendshëm vlerësoi arritjet në luftën kundër krimit të organizuar, por kërkoi akoma më shumë angazhim nga policia shqiptare, duke pranuar se kjo fushë është një sfidë që kërkon më tepër angazhim dhe rezultate. “Kontributi i dyanshëm i kontraktorëve dhe përfituesve ka në themel respektin ndaj taksapaguesve evropianë që kanë vënë në dispozicion të agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri mundësinë për të çuar më tej arritjen e standardeve, nëpërmjet të cilave vendi ynë do të bëhet një partner serioz dhe real i familjes së madhe evropiane”, u shpreh ministri i Brendshëm, Nishani. Sipas tij, PAMECA III, e cila do të vijojë në proces realizimet e suksesshme të gjeneratave të saj të mëparshme, plotëson misionin e saj duke realizuar kështu detyrimet dhe angazhimet e pasqyruara në Marrëveshjen e Partneritetit me Bashkimin Evropian. “Me gjithë investimet dhe transformimet e bëra deri tani, lufta kundër krimit të organizuar është sfida jonë e përbashkët, sfidë të cilën nuk mund ta përballojmë pa pjesëmarrjen dhe angazhimin serioz të të gjithë aktorëve institucionalë të shtetit, të politikës së vendit, partnerëve evropianë e shoqërisë civile. Optimizimi i vlerës së këtij projekti, i mbështetur plotësisht nga Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, do të arrihej vetëm nëpërmjet sigurimit të një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional si dhe realizimit të një partneriteti të ngushtë me komunitetin. Në këtë mënyrë ne do të bëjmë të mundur dhe sigurojmë që objektivat e këtij projekti të përkthehen në realitet operacional dhe rezultate të standardeve të kërkuara”, tha ministri Nishani.