E Diel, 1 Nëntor 2026

20 prilli, Elbasani do të pastrojë Manasderen

Lumi Manasderen

Nisma e kryeministrit për një Shqipëri më të pastër do ti shërbejë Elbasanit për të pastruar Manasderen. Drejtori i Agjencisë së Mjedisit Adi Madhi ka deklaruar gjatë një takimi me prefektin Shefqet Deliallisi se Elbasani do ta përqendrojë pastrimin në përroin e Manasderes sepse është i mbytur nga plehrat. Bashkia Elbasan do të vërë në dispozicion mjetet e ndërmarrjes së mirëmbajtjes dhe do ti kërkohet ndihmë edhe kompanive private për të pastruar përroin që ka më shumë plehra në qytetin e Elbasanit.

Veç fushës së plehrave ky duket se është edhe problemi i dytë më i madh në qytetin e Elbasanit sa i përket mbetjeve urbane. Ndërkohë prefekti i ka kërkuar angazhim të gjithë njësive vendore të Qarkut të Elbasanit të përfshihen në këtë nismë. Drejtori i Drejtorisë Arsimore Mati Cela deklaroi se i janë dhënë udhëzimet të gjithë drejtorëve të shkollave të bashkëpunojnë me njësitë vendore për pastrimin e territorit nga plehrat. Nga Agjensia e Mjedisit është kërkuar që kryesisht kjo fazë të përfshijë rrugët nacionale pasi janë ato që janë më të ndotura.

Pikat e zeza në territorin e qarkut janë në hyrje të qytetit të Prrenjasit, brenda qytetit të Peqinit, Manasderja në qytetin e Elbasanit si dhe akset rrugore që lidhin qarkun e Elbasanit. Prefekti do ti kërkojë gjithashtu komunës së Bradasheshit të marrë masa për pastrimin e përroit të Kushës brenda datës 20 prill. /B.Nergjoni/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›