Elbasan, prishen 42 ndërtime pa leje

Foto ilustruese
Inspektoriati Ndërtimor i Bashkisë së Elbasanit ka nisur aksionin në shkallë të gjerë për prishjen e ndërtimeve pa leje në qytet. Fadromat e ndërtimorëve u përqendruan në prishjen e objekteve të jashtëligjshme përballë Markatës në vendin e quajtur Namazgjaja. Aty janë hedhur poshtë disa kioska të ngritura pa leje. Sipas shefit të inspektoriatit të policisë ndërtimore në bashkinë e Elbasanit, Dritan Ekmekçiu fillimisht aksionet do të përqendrohen në katër akset kryesore rrugore të Elbasanit ku ekzistojnë ndërtime pa leje të ndërtuara kohë më parë por edhe kohët e fundit. Në këto akse janë evidentuar 42 ndërtime pa leje.
Inspektoriati Ndërtimor është duke bashkëpunuar me policinë e rendit për finalizimin e këtyre aksioneve. Ky inspektoriat i ka bërë thirrje pronarëve që ti largojnë me dëshirë materialet në mënyrë që dëmet të jenë minimale. Shembja e këtyre ndërtimeve do të krijojë më shumë hapësira dhe lehtësira për qytetarët. Aksioni i policisë do të vazhdojë. /B.Nergjoni/