20 të vrarë në Sulm në xhaminë afgane
02/06/2005 Të paktën 20 vetë janë vrarë në një sulm me bombë në një xhami në qytetin e Kandaharit në jug të Afganistanit. Policia tha se një militant vetëvrasës e kishte aktivizuar bombën brenda xhamisë, ku besimtarët po faleshin për një klerik të njohur, Mullahun Abdul Fayaz, kundërshtar i talebanëve, i cili u vra të premten. Një person që mori në telefon zyrën e BBC-së në Kabul tha se sulmi ishte organizuar nga talebanët. Brenda në Xhami, që është në qendër të Kandaharit, kishte një turmë të madhe njerëzish në momentin kur ndodhi shpërthimi rreth orës nëntë të mëngjesit, sipas orës lokale. Policia thotë se beson se eksplozivi është aktivizuar nga një militant vetëvrasës që ndodhej brenda. Dëshmitarët thanë se kishte pasur një shpërthim të madh dhe se në xhami mund të shihje pjesë të trupave të copëtuar të viktimave.