20 vite, nga ngjarja e dy prilit në Shkodër
Mbushen 20 vjet nga ngjarja e 2 prillit në Shkodër. Në 2 prill të vitit 1991, në qendër të Shkodrës vriten katër djem të këtij qyteti, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, morën plumbat e "bishës" që përjetonte ditët e fundit të saj.
Për 20 vite me radhë, krimi përkujtohet si një ndër më makabrit, që kishte në sfond motive politike. Masakra ndodhi gjatë një proteste ndaj asaj që u quajt manipulim i zgjedhjeve të 31 marsit, ku Partia e Punës kishte fituar 2/3 e vendeve në Kuvend dhe Partia Demokratike ishte në opozitë. Ndonese kjo parti kishte fituar, nuk mjaftonte që të vinte në pushtet. Protesta nisi si reagim ndaj këtij rezultati, por u shëndërrua në një gjakderdhje. Ishin 4 demonstrues që mbeten të vrarë, dhe 57 të tjerë mbetën të plagosur.
Mësohet se vrasjet janë kryer me armë zjarri të përdorura pa arsye e kriter dhe mbi bazë të urdhrave të jashtëligjshme. Pak kohë pas ngjarjes, të katër u nderuan me emrin "Dëshmorë të Demokracisë", ndërsa me një vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit, 2 prilli do të ishte dita e "Dëshmorëve të Shkodrës". Për këtë ngjarje u ngrit edhe një komision parlamentar hetimor që në fund hartoi një raport ku merrnin pjesë 10 deputetë, shumica nga Partia e Punës me në krye Ajli Alushani. Komisioni hetimor kërkoi largimin e kryetarit të hetusisë Qemal Lame , Prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino, si dhe Gramoc Rucin si Ministër i Brëndshëm.
Një nga veprimet hetimore ishte zhvarrimi i 3 të vrarëve, përvec trupit të Arben Brocit. Sipas të dhënave laboratorike pas zhvarrimit të tyre ishte se personat ishin vrarë me armë të përdorura nga policia dhe ushtria. Një version i hedhur jo pa bazë, ishte edhe fakti se në këtë ngjarje kishte gisht shërbimi sekret Jugosllav, pasi 4 gazetarë të ardhur nga Potgorica më 1 prill 1991 kishin filmuar ngjarjen e më pas kishin konkluduar në disa hamendësime.
Festimet e çdo viti mbajnë emrin e përbashkët të shoqatës "2 Prilli", që së bashku me Bashkinë e Shkodrës, organizojnë në sheshin me të njëjtin emër, ceremoninë përkujtimore, ku nën tingujt e bandës së qytetit, pranë përmendores së ngritur në kujtim të këtyre martirëve, kryhen ritet. Kjo ditë në qytetin verior, njihet edhe si dita e fitores së demokracisë.