Fatura e përmbytjeve, 30 milionë dollarë
SHKODËR- Rreth 30 milionë dollarë pritet të jetë vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e muajit dhjetor në qarkun e Shkodrës, ku ka përfunduar procesi për vlerësimin e dëmeve në ndërtesa e pajisje shtëpiake dhe është në përfundim ai i vlerësimit të dëmeve në bujqësi.Sipas kryetarit të këshillit të qarkut Shkodër, Gjovalin Kolombi, enti i banesave ka përfunduar verifikimin në praktikë, në terren dhe dokumentacioni përkatës është gati për t’u përcjellë në Ministrinë e Brendshme. Dëmi i vlerësuar në banesa e pajisje është rreth 20 milionë $, ndërsa është në përfundim përgatitja e dokumentacionit për dëmet në bujqësi dhe vlera shkon rreth 10 milionë $. Sipas njësive të qeverisjes vendore, që u dëmtuan nga përmbytjet e fundvitit 2010, për banesat e pajisjet shtëpiake, në Bashkinë e Shkodrës dëmi është vlerësuar 412 milionë lekë, në komunën Ana e Malit është 71 milionë lekë, në komunën Dajç, dëmi në banesa e pajisje është 683 milionë lekë, në komunën Gur i Zi është 113 milionë lekë, në komunën Berdicë janë 357 milionë lekë, në komunën Bushat dëmi në paisje e banesa është 299 milionë lekë, në Velipojë 130 milionë lekë, në Malësinë e Madhe është 11 milionë lekë etj.