E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i mbytur pas 12 ditësh i riu nga Durrësi

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 01-04-2011 16:42

DURRËS- 12 ditë pas zhdukjes së tij, 17-vjeçari Bledar Kodra nga fshati Memaj i komunës Rrashbull në Durrës, është gjetur i mbytur në lumin Erzen. Kodra është gjetur pasditen e djeshme nga xhaxhai i tij në breg të lumit Erzen, pranë fshatit Rreth të komunës Xhafzotaj.

Kërkimi

Kërkimet që nisën prej disa ditësh, menjëherë pas zhdukjes së tij rezultuan pa sukses, derisa ditën e djeshme trupi i pajetë i 17-vjeçarit është gjetur nga xhaxhai i tij. Edhe pse kërkimet e policisë dhe polumbarëve janë ndërprerë prej ditësh, kanë qenë të afërmit e 17-vjeçarit që kanë vazhduar të kërkojnë çdo ditë, derisa është gjetur më në fund trupi i tij. Bledar Kodra nuk u kthye më në shtëpi që nga pasditja e 19 marsit, kohë kur ai kishte dalë për të ruajtur lopën jo shumë larg shtëpisë. Madje në momentet e fundit, para se ai të mbytej, 17-vjeçari ishte parë nga një person që punonte në një varrezë automjetesh në fshatin Memaj. Artur Sabjaci ka qenë i fundit që e kishte parë djalin duke luajtur përgjatë bregut të Erzenit për një kohë të gjatë. Ai ka treguar se 17-vjeçari ka mbledhur në anë të shpatit të lumit Erzen shkurre dhe më pas ka ndezur një zjarre duke zhvilluar edhe lojëra të tjera. Ai ka takuar edhe prindërit e djalit, të cilët e kanë kërkuar ditë e natë që nga e shtuna e 19 marsit, madje është pyetur edhe nga efektivat e policisë së Shijakut, duke u treguar atyre edhe të dhëna që kanë bindur prindërit se djali tyre kishte qenë momentet e fundit pranë varrezës së automjeteve, derisa më pas është zhdukur pa lënë më gjurmë.

Hetimi

Gjatë këtyre ditëve janë marrë në pyetje familjarët e 17-vjeçarit në fshatin Romanat, si dhe persona të tjerë, me të cilët ai është takuar para se të zhdukej. Në bazë të këtyre hetimeve, policia nuk ka zbuluar ndonjë të dhënë që mund t’i bëjë ata që të besojnë se 17-vjeçari mund të jetë rrëmbyer. Familja e Bledar Memës nuk ka pasur probleme me fqinjë apo persona të tjerë në fshat dhe më së shumti mendohet se nëse 17-vjeçari nuk është gjallë, ai mund të ketë pësuar ndonjë aksident, si mbytja në lumë, apo diçka e ngjashme. Gjithsesi, policia e komisariatit të Shijakut ka kryer kërkime në fshatrat e zonës përreth, si Pjesëz, Rreth, Hardhishtë dhe zonën në afërsi të Shijakut, e njohur si zona Katër Rrugët. Në lidhje me aktivitetin e 17-vjeçarit, nga të dhënat e policisë, bëhet e ditur se adoleshenti nuk shkonte në shkollë dhe merrej me ruajtjen e bagëtive, punë që më parë e ka bërë me të atin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›