Shinat e trenit vidhen e shiten për skrap
SHKODËR- Linjat hekurudhore në Shkodër po dëmtohen në mënyrë të qëllimshme, për të sabotuar punën e këtij sektori. Kjo pohohet nga drejtori rajonal i hekurudhës, Tonin Trupa, i cili shton se persona të ndryshëm, me keqdashje po vjedhin pjesë të linjave hekurudhore, hedhin inerte në linjë për të penguar lëvizjen e trenave apo bëjnë frenime të shpeshta, me qëllim vjedhjen e vagonave të ngarkuar me skrap”. Dihet se në këtë rajon lëvizin trena mallrash, pasi ndodhet i vetmi stacion ndërkombëtar dhe është e vetmja portë lidhëse me vendet e Europës, përmes linjës hekurudhore. Vjedhje pjesësh të hekurudhës, duke rrezikuar daljen e trenave nga shinat, hedhje inertesh mbi shina për të detyruar trenat të ndalohen, frenime të tyre e vjedhje të vagonëve të hapur të ngarkuar kryesisht me skrap, janë mjaft të pranishme në segmente të ndryshme të linjës hekurudhore. Rasti më i fundit ka ndodhur të enjten ku është frenuar treni dhe janë ndaluar dy persona , nën e bir duke larguar skrapin nga vagonat e hedhur në tokë për ta marrë dhe për ta shitur”, thekson Trupa. Ai ka shtuar se ky është një shqetësim i madh për hekurudhën dhe funksionimin normal të saj ndërsa janë kryesisht adoleshentë që i kryejnë këto veprime, të shtyrë nga individë të tjerë të rritur. Kjo pasi adoleshentët nuk rrezikojnë dënime të rënda dhe në rast se ndalohen. Individë të caktuar punojnë me të gjitha format e mënyrat për të sabotuar aktivitetin e hekurudhës dhe kjo vjen ose nga konkurrenca e pandershme që i bëhet këtij lloj transporti , ose dhe për arsye politike. Në bashkëpunim me policinë e rendit, atë kriminale dhe policinë private që shoqëron vagonat me skrap, do këmbëngulim në evidentim dhe kapjen e këtyre individëve”, thekson Trupa. Një javë më pare, në linjën hekurudhore nga Shkodra në Lezhë, në afërsi të kësaj të fundit, u vodhën pjesë metalike dhe aksesorë të hekurudhës, duke rrezikuar daljen e trenave nga shinat dhe jetën e njerëzve që lëvizin me tren për shkak të kostos së ulët të tij. Çdo të martë , treni i kësaj linje ka numër të madh pasagjerësh që shkojnë si pelegrinë në kishën e Shën Ndoit në Laç të Kurbinit, dhe rreziku bëhet më i madh. Përveç trenave të pasagjerëve, rrezik paraqesin dhe daljet nga shinat të trenave të mallrave të ngarkuar me lëndë djegëse, dhe kjo nga vjedhja e aksesorëve të hekurudhës.