20 vjet burg Cafit për vrasjen e Nezirit
25/02/2005 TIRANË - Prokurori Eugen Beçi kërkoi dje dënimin e të pandehurit Gëzim Cafi, me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të vrasjes. Për përfaqësuesin e akuzës, i pandehuri Cafi është gjendur fajtor për vrasjen e Brunilda Nezirit, ish e dashura e shtetasit Fatlum Kadia, edhe ky në gjendje arresti për vrasjen e tregtarit nga Saranda, Pirro Koçiu. Neziri u vra gabimisht, sipas akuzës, pasi në qendër të sulmit që u krye më 13 mars 2000, ishte Fatlum Kadia. Ky i fundit, para gjykatës, ka mohuar gjithçka. Nuk ka treguar as emra autorësh, madje është shprehur se në momentin kur ishin duke dalë nga Shkodra, në afërsi të Kalasë së Rozafës, e ka parakaluar një makinë tip "Benz". Nga kjo makinë, është shprehur i dashuri i Brunildës, kanë dalë dy persona me maska. "Unë dola nga makina dhe ika në drejtim të kundërt. Aty vritet e dashura ime, Brunilda Neziri. Nuk njoha njeri. Ishin me maska". Kadia nuk ka ngurruar të tregojë se me Cafin njiheshin që në shkollë dhe ishin shokë prej kohësh. Kanë qëndruar në të njëjtën bankë. Në 13 mars të vitit 2000, në Shkodër, në afërsi të vendit ku është ndërtuar "Kisha e Zonjës së Mirë", është vrarë Brunilda Neziri dhe plagosur i dashuri i saj, Fatlum Kadia dhe Gentian Selmani. Fillimisht, autorët e vrasjes nuk u identifikuan. Në vend u gjet një armë automatike së bashku me dy karikatorë. Po kështu u gjetën 17 gëzhoja të qitura nga dy armë, dhjetë prej të cilave ishin qitur nga arma automatike, e gjetur në vendngjarje. Ndërsa vrasja ndodhi në vitin 2000, hetimet për të filluan vetëm më 10 qershor të vitit 2003, tre muaj pas arrestimit të të pandehurit Gëzim Cafi, që u bë më 28 mars 2003. Fillimisht hetimet u kryen nga Prokuroria e Shkodrës. Dosja me emrin e të pandehurit erdhi në Tiranë, me akuzën e vrasjes me dashje. Por nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas marrjes së provave të para dhe studimit të dosjes, u bë ndryshimi i kualifikimit. Gjurmët e gishtave dërguan Prokurorinë tek Gëzim Cafi.