Mandoi, 80% e trafikut të drogës kryhet nga shqiptarët

25/02/2005 Ka përfunduar dje në orën 12.00 seminari në Ministrinë e Drejtësisë, organizuar me nismën e përfaqësuesve të drejtësisë italiane. Me përfundimin se seminari ia arriti qëllimit për të patur bashkëpunime të vazhdueshme mes palëve, me qëllim hetimin e grupeve kriminale dhe organizatave të trafikut të heroinës e kokainës, numri dy i antimafias italiane, pranoi të japë edhe një konferencë të shkurtër për shtyp. Françesko Mandoi nuk kishte dëshirë të përmendte emra personash të njohur në trafikun e lëndëve narkotike, duke ia lënë këtë si detyrë organit të hetimit. Por, Mandoi deklaroi se, në Itali, 80% e trafikut të lëndëve narkotike kryhet nga bandat italo–shqiptare, pa përjashtuar këtu edhe bandat italo-kosovare. "Duke patur parasysh krimin në Kosovë, do të thoja se një pjesë e mirë e 80 përqindëshit, përbëhet nga kosovarët", tha Mandoi në fjalën e tij. Më tej, ai shtoi se trafikantët e kanë më të lehtë dhe të sigurtë kalimin e mallit të tyre nga Shqipëria për në Itali. Duke theksuar këtë fakt, Mandoi ishte i bindur se, Shqipëria, në të shumtën e rasteve është një urë e mirë tranziti për kalimin e kokainës dhe heroinës. "Nëpërmjet Shqipërisë kalohet pjesa më e madhe e sasisë së heroinës që trafikohet në Itali", tha Mandoi, duke i lënë një përqindje më të paktë kalimit të kokainës nga brigjet tona përtej kufirit. Krimi në Itali është shumë i përhapur, theksoi zv.prokurori i antimafias italiane. Ai përmendi faktin se, në vendin e tij shumë shqiptarë janë futur në rrjetin e madh të trafikut të heroinës dhe kokainës. Por nuk la pas edhe kosovarët. Mandoi pohoi dje, se mes Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare dhe asaj italiane, ka një frymë bashkëpunimi të mirë. Megjithatë, ai shtoi se lufta kundër trafikut të lëndëve narkotike duhet të jetë edhe më e fortë dhe për të eliminuar tranzitin drejt vendit fqinj, duhet bashkëpunim. Në seminarin e organizuar me pjesëmarrës nga gjykatat, prokuroria, policia dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, u fol edhe për ekstradimin dhe transferimin e personave të dënuar. Edhe ekzekutimi i letërporosive, që bëhet nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, ka qenë një nga pengesat kryesore për mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore. Shumë procese në Gjykatën e Krimeve të Rënda, vazhdojnë të jenë peng i pritjes së këtyre letërporosive.
Deklarata
Di Gennaro, ish-funksionar i lartë gjyqësor në Itali, ishte ai që ndërmori nismën për të bërë këtë seminar të përbashkët. Ka qenë mjaft i njohur në drejtësinë italiane në vitet '70. Për shkak të pozicionit dhe detyrës që ka patur ai, është marrë peng nga Brigadat e Kuqe për rreth dy javë rresht dhe është liruar më pas me ndërhyrjen e autoriteteve italiane. Duke qenë në plan të parë në këtë seminar, ai u shpreh: “Më vjen mirë që në Shqipëri shoh shumë ndryshime. Nuk e kam fjalën thjesht tek infrastruktura, por tek njerëzit, te përgatitja e tyre, te dëshira e tyre për të ecur përpara. Është krijuar një legjislacion evropian, që nuk e kemi as ne në Itali. Duket se ka vullnet për të ecur më mirë, jo vetëm në hartimin e legjislacionit, por edhe në zbatimin e tij. Momenti më i rëndësishëm është ai i zbatimit të ligjit. Është e panevojshme të kemi ligje të mira, nëse nuk i zbatojmë ato. Për të pasur sukses në luftën kundër krimit, nuk mjaftojnë vetëm përpjekjet e një vendi të vetëm, por përpjekjet e të gjitha vendeve të përfshira në konventë”. Kështu u shpreh në fjalën e tij magjistrati italian, Giuseppe Di Gennaro.