E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati dje te Ligjet PD me dy qëndrime

21/03/2012  Opozita kundërshton datën 25 tetor 1944

Komisioni i Ligjeve shqyrtoi dhe miratoi dje projektligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Propozimi i deputetit demokrat Fatos Hoxha për të ulur me 10 vjet moshën e përfituesve të dëmshpërblimit nga ky ligj shkaktoi debate të forta dhe pakënaqësi në radhët e mazhorancës. Ndërkohë që opozita e përkrahu propozimin e relatorit Hoxha, zëvendësministrja e Drejtësisë Brikena Kasmi ishte e para që e kundërshtoi atë. “Ky amendament për të ulur kufirin e moshës është antikushtetues, pasi duke rritur faturën financiare ndryshon edhe buxhetin e vitit 2012, i cili është miratuar me vendim nga Kuvendi i Shqipërisë, dhe Komisioni i Ligjeve nuk e ka tagrin që ta ndryshojë këtë vendim”, – tha Kasmi. Në të njëjtën linjë me zëvendësministren u shpreh dhe deputeti tjetër i mazhorancës Genc Strazimiri. “Nëse Kuvendi kërkon të ulë moshën e atyre ish-të persekutuarve që marrin menjëherë dëmshpërblim, nuk duhet të rrisë faturën financiare për qeverinë, por të bëjë një rregullim ligjor që në këtë faturë të kontribuojnë edhe persekutorët që kanë shkaktuar dëmin”, – tha Strazimiri, i cili votoi kundër amendamentit të kolegut të tij të mazhorancës Fatos Hoxha. Por deklarata e Strazimirit shkaktoi replika edhe me ligjvënësit opozitarë të Komisionit. Nënkryetari socialist i Komisionit iu drejtua Strazimirit duke e pyetur nëse në propozimin e tij përfshihet dhe kreu i PD-së Sali Berisha. “Futim dhe Saliun si sekretar partie”, – tha Xhafaj. “Jo, të fusim ty si sekretar i rinisë. Ti more, kur ke ardhur në pushtet më ’98-n u ke dhënë pafajësinë, u ke dhënë paret atyre që kanë fut këta në burg”, – iu drejtua Strazimiri deputetit të PS-së. Ndërkohë opozita me anë të deputetes Ermonela Felaj kërkoi që të bëhet transparente lista e të pushkatuarve pa gjyq gjatë periudhës 25 tetor 1944–30 dhjetor 1944. Ajo tha ajo se në këtë periudhë mund të jenë dënuar dhe ish-bashkëpunëtorë të fashizmit. “Kjo ka ndodhur dhe para ’44-s dhe pas ’44-s dhe deri tani bashkëpunëtorët kur gjenden, merren dhe dënohen. Krimet e luftës nuk parashkruhen ndonjëherë”, – tha Felaj. Ndërkaq debati për kushtetutshmërinë e vendimit ‘pro’ të Komisionit të Ligjeve do të vijojë në seancën e sotme plenare, kur të diskutohet për këtë projektligj.

Alibeaj

Propozimi i deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj që në listën e përfituesve në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë” të përfshihen dhe të pushkatuarit pa gjyq gjeti konsensusin e anëtarëve të Komisionit. “Listës së përfituesve t’i shtohen dhe ata që u pushkatuan pa gjyq nga komunistët. Konstatoj se si sugjerimi për konsultime me grupet e interesit apo sëkëlldia që ju zë kur data ulet në 25 tetor 1944, nuk fokusohemi nga historia e dëmshpërblimit të përndjekurve politikë.”

Erion Braçe

Deputeti i PS-së ka qenë i pari që ka kërkuar uljen me 10 vjet të moshës së përfituesve të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë. Në mbledhjen e pak ditëve më parë të Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe do të shprehej: “Sa shtohet kjo faturë financiare dhe si përballohet kjo faturë? Ky ligj bën fjalë për dhënien e shpërblimit të menjëhershëm për ata që janë mbi 85 vjeç, që janë me gishta. Mua më vjen keq për ata që janë 75 vjeç, që për fat janë gjallë dhe që duhet ta marrin menjëherë këtë gjë.”

Fatos Hoxha

Në mbledhjen e djeshme Fatos Hoxha u propozoi kolegëve të tij në Komisionin e Ligjeve një amendament që ndryshon kufirin e moshës për ish të persekutuarit që marrin menjëherë dëmshpërblimin. Qeveria kishte propozuar moshën 85 vjeç, por amendamenti i Hoxhës kërkonte që ky kufi të jetë 75 vjeç për meshkujt dhe 70 për gratë e ish-persekutuara. Me gjithë kundërshtimin e zëvendësministres së Drejtësisë dhe deputetit Strazimiri, amendamenti u miratua edhe me votat e opozitës në Komision.

Fatmir Xhafaj

“M’u duk fare e habitshme që s’iu përgjigjët numrit të kërkesave tona. Neni një është i pranuar lehtësisht dhe nga vetë iniciatorët dhe në relacionin përkatës, që është një amendament jashtë fushës së ligjit bazë. Si i tillë, është i papranueshëm dhe, nëse do të miratohet, ky amendament nuk mund të kalojë te Ligjet që është në kundërshtim me ligjin. Çështja e moshës më duket absurde që t’i japësh përparësi moshës 85 vjeç. Më duket i drejtë propozimi për të bërë 70 vjeç gratë dhe 75 vjeç burrat”, – u shpreh Xhafaj.

Edi Paloka

Deputeti i PD-së u shpreh se projektligji i vjen në ndihmë ligjit aktual të dëmshpërblimeve, por kërkoi që të rishihej mosha e përfituesve. “Përveç diskutimeve të ligjit bazë ky ligj nuk sjell asnjë ndryshim. Mendoj se është një projektligj që vetëm e përmirëson dhe vetëm shton pluse. Mbase mund në bazë të një studimi që keni bërë të shihet dhe mundësia e ndryshimit të moshës, se ka dhe mosha të reja që mund të jenë në një moshë më të ulët, por që prapë janë më të moshuar”, – tha Paloka.

Debatët për ish-të përndjekurit

Ermonela Felaj - Nuk më duket aspak serioze që ligji është bërë rishtas, të vijë me ndryshime në një kohë relativisht të shkurtër dhe këto ndryshime nuk argumentohen me argument serioze. Të bëhet transparente lista e periudhës 25 tetor 1944 deri në 30 dhjetor 1944, sepse në këtë periudhë mund të jenë dënuar dhe ish-bashkëpunëtorë të fashizmit. Kjo ka ndodhur dhe para ’44-s dhe pas ’44-s dhe deri tani bashkëpunëtorët, kur gjenden, merren dhe dënohen. Krimet e luftës nuk parashkruhen ndonjëherë.

Alibeaj - Konstatoj se si sugjerimi për konsultime me grupet e interesit apo sëkëlldia që u zë kur data ulet në 25 tetor 1944, me njëherë fokusohemi nga historia e dëmshpërblimit të përndjekurve politikë dhe shkon atje ku zemra thotë. Unë besoj se ndarjet tona ideologjike apo historike janë të qarta.

Strazimiri - Unë do të doja ta ekuilibroja pak debatin. Zoti Aliebaj që kur ka lindur ka qenë i deklasuar.

Fino - Pse e paske pritur në maternitet ti?

Strazimiri - Alibeaj ka lindur më ’74-n, ka qenë kolaboracionist që më ’44-n, se për atë është dënuar.

(Ndërhyn Alibeaj)

Strazimiri - O zoti Alibeaj, më lër të flas, se ti si i deklasuar fole, na lër ne të flasim tani si…

Felaj - ...komunist.

Strazimiri - Komunist jo, por tanët kemi qenë të gjithë. Ndryshimet ishin të nevojshme. Respektoj kërkesën e kolegëve për moshën, por unë besoj se Ministria e Drejtësisë, kur ka bërë listën, e ka parë. Besoj se veçimi është bërë duke parë mundësitë financiare të momentit. Meraku i dytë se mos të dënuarit para ’44-s na shpëtojë ndonjë kolaboracionist. Nuk besoj të ketë shpëtuar, se ne fashizmin e vramë me nokaut. Shqetësimi juaj është se mos ka shpëtuar ndonjë njeri.

Sajmir Tahiri - Kujt po i drejtohesh me “keni vrarë”?

Gent Strazimiri - Po edhe ty, sekretar i parë i Tiranës, a je ti?

Sajmir Tahiri – “Keni vrarë”? E bëtë politike. Jeni kundër propozimit të dëgjoni të përndjekurit?

Paulina Hoti - Është konsultuar Ministria.

Ramiz Çobaj - Jemi kundër spektaklit.

Sajmir Tahiri - Pse paragjykon? Ku e di ti?

Paulina Hoti - Sajmir të lutem. E paragjykoj se do të bëhet si në Komisionin e Ekonomisë.

Edi Paloka - I pyetnit para se t’i futnit në burg. Ishte partia juaj që i futi në burg.

Shegush Ligori - Ishte dhe partia juaj.

Sajmir Tahiri - Ke një problem, se ti ke kryetarin e partisë sate.

Fatmir Xhafaj - Nuk ka arsye të humbasim qetësinë në një normalitet pune. Kalojmë te pyetjet.

Strazimiri - Meqë jemi për te mundësia për t’i paguar në një kohë sa më të shkurtër, a u ka shkuar ndonjëherë ndër mend të bëni një amendim në këtë projektligj pikërisht për këtë mekanizëm? Në dosjen personale të çdo të persekutuari politik ekziston gjyqtari që e ka dënuar, prokurori që ka mbrojtur akuzën, hetuesi që ka bërë hetimin. Ata janë përgjegjës për këtë dëm të shkaktuar sot. Kam përshtypjen se, nëse sot dëmtuesit i përfshinim në këtë skemë të dëmshpërblimit, puna mbaron brenda ditës për të 20 mijë vetat.

Xhafaj - Futim dhe Saliun si sekretar partie.

Strazimiri – Jo, të fusim ty si sekretar i rinisë. Të fillojmë tek ata.

Strazimiri - Admendament po e bëj.

Xhafaj - Po bëje

Strazimiri - Ti po mbron Sajmirin tani.

Xhafaj - Po mbroj gjuhën e drejtë.

Strazimiri - Çfarë gjuhe të drejtë? Si shtet njeh një dëm, dëmtuesit i dëmshpërblen pasi kanë marrë dënimin. Njeh një dëm, dëmtuesi i dëmshpërblen.

Xhafaj - Fol me ligj jo me patetizma.

Strazimiri - Me ligj po flas. Ti more, kur ke ardhur më ’98-n, u ke dhënë pafajësinë, u ke dhënë paret atyre që kanë fut këta në burg.

Xhafaj - Po propozoje.

Strazimiri - Ti po mbron Sajmir Tahirin.

Xhafaj - Po e mbroj se ka të drejtë.

Rusmali - Diskutimin jashtë rendit të ditës bëjeni jashtë kësaj salle. Ore foli një çikë!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›