200 kontrollorë për Qeverinë
20/01/2005 Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk do të jetë e vetmja oponencë e Qeverisë, por duke filluar nga sot, do të funksionojë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit të Brendshëm. Bëhet fjalë për një grup pune, që do të jetë brenda qeverisë për të bërë auditin e xhepave të saj, ashtu sikurse bëhet dhe me biznesin. Qeveria do të japë kontroll në të gjitha instancat e saj për të gjitha shpenzimet, investimet dhe mënyrën se si harxhon paratë e buxhetit dhe të taksapaguesve. Por këta ekspertë që do të jenë oponenca e qeverisë, duhet të kenë përgatitje të fortë përpara se të marrin certifikatën e kontrollit të brendshëm. Ndërkaq, 200 specialistët e certifikuar kanë përfunduar me nxitim “studimet”, duke e shkurtuar kohën e trajnimit nga katër vjet në 2 vjet. Drejtori i Drejtorisë së re të Auditit, Gjon Ndreu, ka sqaruar se, kjo bëhet për të vënë sa më shpejt në funksion këtë shërbim, sepse nuk priste koha që specialistët të trajnoheshin për katër vjet rresht dhe më pas të fillonin punën. Dje ministri i Financave i ka njohur certifikatat rreth 200 punonjësve, që do të jenë syri i brendshëm i qeverisë, duke deklaruar kështu dhe fillimin e funksionimit të këtij shërbimi. “Në jemi të vetëdijshëm se niveli ekzistues i Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik dhe i Auditit të Brendshëm, kërkon angazhim prioritar për të ecur më qartë dhe më shpejt”, ka deklaruar ministri i Financave. Qeveria ka plotësuar një nga detyrat e lëna prej organizmave, për të patur një kontroll të brendshëm dhe mund të quhet në rregull me planin e punës. Pavarësisht se disa çështje çalojnë dhe janë të nxituara, tashmë mund të thuhet se kontrolli i brendshëm funksionon dhe nuk lë shteg për korrupsion. Kanë qenë strukturat homologe në Britaninë e Madhe, ato që kanë mundësuar trajnimin e specialistëve pas binjakëzimit që kjo drejtori ka bërë me homologun e vet britanik. Ndërkaq specializimi dyvjeçar në Tiranë, ka bërë të mundur që ekspertë të firmave të mëdha audite që punojnë në vend, të jenë lektorë të specialistëve. Kështu, “Deloitte&Touche” apo “Water Price – Cooper”, kanë qenë firmat e mëdha audituese, që kanë ofruar ndihmën e tyre në përgatitjen e specialistëve. Ndërkaq, Drejtoria e re do të duhet të dorëzojë në mars të këtij viti raportin e parë për financat e qeverisë, duke i hapur rrugën një kontrolli të gjatë që synon, sipas Malaj, të luftojë korrupsionin dhe të përmirësojë menaxhimin. “Krijimi një sistemi funksional parandalon dhe eliminon mungesën e efikasitetit, abuzimit, shpërdorimit dhe korrupsionit”, ka deklaruar Malaj.