E Hënë, 2 Nëntor 2026

Novela e Kadarese blihet ne Amerike per 780 dollare

19/01/2005  Novela e Kadaresë blihet në

Amerikë për 780 dollarë

Novela ”Ditë kafenesh” e shkruar në moshën 19-vjeçare nga shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka qenë ndër librat më të kushtueshëm për lexuesin amerikan.

Instituti Ndërkombëtar i Letrave Moderne, me qendër në

SHBA, ka botuar kohët e fundit në një version të moderuar dhe që ka kushtuar deri në 780 dollarë novelën "Ditë kafenesh", e cila është pëlqyer shumë nga audienca e lexuesve të autorëve të huaj në kontinentin amerikan. Instituti në fjalë ka botuar 6 vepra të veçanta të nobelistëve Wole Soyinka ('86), Toni Morrison ('93) dhe Kenzaburo Oe ('94) dhe të shkrimtarëve të mëdhenj bashkëkohorë, Russell Banks e Selman Ruzhdi, ndërkohë që novela e Kadaresë, e botuar kohët e fundit, ka zgjuar një interesim shumë të veçantë. Novela "Caffehouse days" e shkrimtarit tonë të madh, në një botim special dhe me ilustrime artistike, është përgatitur nga shtëpia e botimeve luksoze "Rainmaker". Libri u shpërndahet vetëm bibliotekave me çmim 625 USD si dhe disa pajtimtarëve të rregullt, me çmimin 780 USD. Ky Institut do të botojë shumë shpejt edhe vepra të autorëve të mëdhenj John Irving e Tobias Wolf. Novela "Ditë kafenesh" është përkthyer në anglisht nga Pirro Dollani, drejtues i sektorit të skenareve në Institutin e Filmit pranë Universitetit të Nevadës në Las Vegas. 53-vjeçari Dollani, deri në vitin 1994 ka qenë drejtor i bibliotekës publike në Durrës. Së shpejti, shtëpia botuese “Ombra GVG” në Tiranë, do të botojë romanin "Duke lexuar Turgenievin", e shkrimtarit William Trevor dhe përkthyes i veprës është pikërisht Dollani, i cili është edhe iniciatori i botimit të novelës së Kadaresë. Sipas përkthyesit Dollani, vepra shoqërohet

nga një esse prej 16 faqesh, shkruar nga Bob Shuman,

autor i mbi 40 librave studimorë dhe enciklopedikë.

Prof.Shuman vlerëson novelën e shkruar nga autori shqiptar në moshën 19-vjeçare dhe e përcakton Kadarenë si një disident të shquar të realizmit socialist. Dalja në qarkullim e Kadaresë, në Amerikë, i ka dhënë më shumë mundësi lexuesit, jo vetëm amerikan të njihet me një nga penat e mëdha të letrave shqipe, i cili ka qenë prej vitesh ndër shkrimtarët që i është afruar shumë çmimit Nobel.

Ili Hasi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›