E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinematografia shqiptare, nostalgjia blihet me 20 mije dollare

19/01/2005  Kinematografia shqiptare

Nostalgjia blihet me 20 mijë dollarë

Afro 20 mijë dollarë u ka kushtuar dy shtëpive diskografike “Albtrade” dhe “Trimix” për të rinovuar mbi 200 filma shqiptare që kapin harkun kohor të prodhimit nga 1957-1995. Ndërsa është hedhur këto ditë në treg seria e parë e filmave duke përfshirë rreth 12 filma artistikë . Kjo shënon dhe serinë e parë të riprodhimit të filmit shqiptar të liçensuar pas 14 vitesh. Për herë të parë për filmat shqiptarë përdoret një teknologji moderne për “transferimin” nga origjinali, bobina me të cilat janë ruajtur deri tani, në DVD. Një film në treg kushton 6 mijë lekë të vjetra.

Në këtë sipërmarrje “Albtrade” dhe “Trimix” mbajnë të drejtën e riprodhimit dhe shpërndarjes pasi kanë nënshkruar më parë marrëveshjen me Forumin e Mbrojtjes së Autorëve Audiovizualë, Arkvin e Filmit dhe AlbaFilm.

Bëhet fjalë për të gjithë arkivin e filmave shqiptarë të prodhuar gjatë diktaturës dhe dhjetë vite pas saj. Dhe nuk është i paktë numri, janë gjithsej 275 filma artistike të kësaj periudhe të cilat në këto dhjetë vite janë shitur në treg si produkte pirate.

Për këtë shpesh kineastët patën ngritur zërin ku një prej tyre Guljem Radoja në një aktivitet të Arkivit të Filmit u pat shprehur se “filmat e tanë janë kthyer si rroba që shiten tek gabi”. Gengrenizimi i situatës në treg gati i kishte prerë shpresat e regjisorëve se do mund të gëzonin ndonjë ditë prodhimet e tyre kinematografike të krijuara gjatë diktaturës. Derisa pirateria, u shfaq hapur dhe nëpër televizioneve me logon e nostalgjisë kinematografike. Por ka gati një vit që KKRT ia preu të drejtën e transmetimit të filmave, po ashtu dhe e drejta e autorit nuk ishte përcaktuar ndërsa pronar kishin “Albafilm”-in. Por ka disa javë që FMAA e drejtuar nga kineasti Pirro Milkani vendosi të merrte përsipër këtë marrëveshje me dy shtëpitë diskografike për të shpërblyer autorët e filmave të gati 40 viteve kinematografi shqiptare.

Edhe në këtë rast pati diskutime nga kineastët duke e cilësuar veprimin e Milkanit si “hajdutëri” por, që, doli siç duket e kundërta pasi mjaft prej tyre kanë marrë shpërblimin e parë të së drejtës së autorit. Ndërsa në tregun muzikor DVD me filmat e vjetër shqiptarë kanë pamje të re. Kasetat pirate janë bllokuar para hedhjes në qarkullim të riprodhimeve cilësore të filmave shqiptarë. Në këtë operacion nuk përfshihen filmat e prodhuar pas vitit 1995-s. Ndjeshmëria e klientelës ndaj nostalgjisë kinematografike shqiptare ende nuk po duket. Nëpër dyqane tregtarët e filmave thonë se janë ditët e para dhe për këtë arsye nuk ka shumë shitje entuaziaste që të shënojë ndonjë shifër rekord.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›