E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kuvendi ka të drejtë të rrëzojë dekretet

19/01/2005  Gjykata Kushtetuse ka hedhur poshtë kërkesën e Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, i cili pretendonte se Kuvendi nuk ka të drejtë të rrëzojë dekretet e tij mbi emërimet për zyrtarët e lartë. Sipas Presidencës, Kuvendi duhet të verifikojë nëse propozimet janë ligjore apo jo. Në rast se për dekretet nuk ka kundërshtime ligjore, Presidenca pretendonte se kartoni i deputetëve nuk mund të jetë kundër. Boshllëku që ishte krijuar mes Presidentit dhe mazhorancës socialiste, në periudhën e rrëzimit të Vitore Tushës, të propozuar për postin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, duket se është mbyllur me vendimin e formës së prerë, ku i jepet e drejta Kuvendit të Shqipërisë për të miratuar ose jo propozimet për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve të tjera kushtetuese. Kushtetuesja e ka cilësuar si jo të drejtë kërkesën e kreut të shtetit, duke vlerësuar se në dekretime duhet të zbatohet Kushtetuta. Sipas kësaj gjykate, "Shqipëria është një Republikë parlamentare dhe si e tillë është Kuvendi i Shqipërisë ai që jep pëlqimin për pro ose kundër dekretimeve të Presidentit". Ky ka qenë edhe një nga argumentet kryesorë për Kushtetuesen për të rrëzuar kërkesën e paraqitur nga ana e kreut të shtetit.

Kërkesa

Sipas juristëve të Presidentit, nenet e Kushtetutës përcaktojnë se kreu i shtetit ka të drejtë të emërojë funksionarët, ndaj emërimi nuk votohet. "Emërohen nga Presidenti... me pëlqimin e Kuvendit", këto kanë qenë përcaktimet e Kushtetutës, që sipas Presidencës, nuk e lejojnë votimin. Presidenti e interpretoi se Kuvendi vetëm shqyrton nga ana ligjore dhe sugjeron për figurat që do të emërohen në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë, apo në institucionet e tjera kushtetuese. Ankesa ka sjellë pezullimin për një kohë të gjatë të emërimeve të funksionarëve të shtetit, ku posti i kryetarit të KLSH-së Guvernatorit, apo bordit të KKRTSH-së mbetën pezull për disa muaj.

Vendimi

"Kuvendi i Shqipërisë ka kompetencë të japë ose jo pëlqimin për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Ky vendim është përfundimtar i formës së prerë dhe ka fuqi prapavepruese". Me këtë vendim zbehen në një farë mase kompetencat e Presidentit të Republikës në emërimin e gjyqtarëve të lartë. Duke argumentuar vendimin se Shqipëria është Republikë parlamentare, Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e Presidentit.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë 3 vjetësh.

Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, Presidenti i Republikës emëron, me pëlqimin e Kuvendit, një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›