“200 mijë euro Shullazit për vrasjen”
Armand Bajrami
Emra të njohur të botës shqiptare të krimit u përmendën dje përpara Gjykatës për Krimet e Rënda nga i penduari i “bandës së Durrësit” Adriatik Coli. Dritan Dajti dhe Emiliano Shullazi janë përmendur prej Colit, si persona ishin “pajtuar” nga anëtarë të bandës për të ekzekutuar Lulëzim Berishën në këmbim të qindra mijëra dollarëve. Coli ka pohuar se këto të dhëna i kishte mësuar nga një bisedë me Aleksandër Kekën, ish-kryetarin e PDK-së së Malësisë së Madhe, që humbi jetën në qershor të këtij viti pas një shpërthimi eksplozivi në automjetin e tij. Deklaratat e të penduarit kanë sjellë debate mes palëve në sallë. Avokatët kanë reaguar ashpër, madje disa prej tyre kanë pretenduar se prokuroria duhet të tërheqë dosjen, pasi gjatë dëshmisë i penduari ka përfshirë në disa ngjarje persona që nuk janë në listën e të pandehurve. Burime brenda seancës me dyer të mbyllura sqaruan se Coli vijoi dje rrëfimin me largimin e tij nga vendi pas vrasjes së Ilir Koldashit dhe rikthimin në Shqipëri, por si “i penduar”. Në seancën e ardhshme Coli do të përballet me pyetjet e avokatëve mbrojtës në këtë proces.
DAJTI DHE SHULLAZI
Ndonëse edhe në disa seanca paraardhëse Coli ka përmendur emra “të jashtëm” të dosjes, të pathënë më parë, “surpriza” e radhës ka pasur si personazhe Dritan Dajtin dhe Emiliano Shullazin. Mësohet se i penduari ka qenë duke përfunduar krejtësisht dëshminë e tij kur është shprehur: Kam harruar edhe diçka pa thënë. Ajo që ka ardhur më pas ka habitur gjithë të pranishmit, pasi “i penduari” ka pohuar se Dajti dhe Shullazi do të “rekrutoheshin” për ekzekutimin e Lulzim Berishës në këmbim të 200 mijë dollarëve. “Aleksandër Keka më tha se Dritan Dajti dhe Emiliano Shullazi kishin rënë dakord me Indrit Doklen që të vrisnin Lulëzim Berishën në këmbim të parave”, është shprehur Coli. Në vijim i penduari ka përmendur se ka qenë kërkesa e Dritan Dajtit për një paradhënie prej 50 mijë dollarësh ajo që ka prishur “paktin”. “Këto i mësova në një bisedë me Aleks Kekën, teksa po më përcillte për të kaluar në Jugosllavi”, është shprehur Coli. Burime pranë seancës bënë të ditur se Coli nuk ka saktësuar periudhën kohore se kur ishte bërë “pazari” mes anëtarëve të bandës dhe Dajtit e Shullazit.
PENDIMI
“Unë kam ikur në Itali, dy ditë pas vrasjes së shtetasit Ilir Koldashi, në fund të muajit tetor 2005 në vendin e quajtur “Disko e shtetasit A.Zeneli”. Unë kam qenë bashkautor në këtë vrasje dhe u largova në Itali për t’iu shmangur kapjes nga policia. Shkova në Itali dhe qëndrova 4 muaj. Aty mora vesh që kishin ardhur persona për të më eliminuar dhe se të gjithë përgjegjësinë për vrasjen e Koldashit ma kishin hedhur mua. Në Itali kam mësuar se kishin dërguar njerëz për të më eliminuar shtetasit Indrit Dokle, Lulzim Berisha si dhe të afërmit e viktimës. I gjendur në këto kushte, vendosa që me vullnetin tim të lirë, të kthehem në Shqipëri dhe të paraqitem para organeve të drejtësisë për të deklaruar gjithçka di lidhur me vrasjen e shtetasit Ilir Koldashi, si dhe të gjithë aktivitetin kriminal të grupeve kriminale të qytetit të Durrësit, në të cilat edhe unë kam qenë pjesëmarrës. U nisa nga Italia dhe shkova në Austri me makinë. Në kufirin midis Austrisë dhe Sllovenisë më kapi policia sllovene dhe nuk më la të kaloj për në Slloveni. Pastaj, policia austriake më kthehu në Kosovë, pasi unë u prezantova me emrin Arben Krasniqi si shtetas i Kosovës. Nga Kosova erdha me avion në Shqipëri, ku zbrita në Rinas. Pas kësaj erdha drejt e në polici me qëllim dhe me dëshirë për të treguar të gjithë aktivitetin tim si dhe lidhjet e mia shoqërore që kam pasur më parë”.
Keka, familja dhe PDK mohuan akuzat
I penduari i bandës së Durrësit ka përmendur disa seanca më parë emrin e ish-kryetarit të Partisë Demokristiane në Malësi të Madhe Aleksandër Keka. Sipas Colit, Keka kishte marrë pjesë në aktivitetin e bandës si transportues droge. Akuza të tilla u hodhën poshtë menjëherë nga Partia Demokristiane, e cila tha se policia po përdor të penduarin. Nga ana tjetër reagoi edhe familja e Aleksandër Kekës, e cila tha se ish-kreu i partisë në degën lokale në Malësi të Madhe, nuk ka pasur asnjë raport me personat e akuzuar si anëtarë të grupit kriminal.