E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karaxhiç bojkoton hapjen e gjykimit, Haga i jep 24 orë kohë

 

Radovan Karaxhiç ka bojkotuar procesin e djeshëm në Hagë, ku përballet me 11 akuza, pasi “nuk ishte i përgatitur për mbrojtjen”. Gjykata i dha 24 orë kohë për të qenë gati, pasi seanca do të vazhdojë me apo pa praninë e tij sot. “Prania e të akuzuarit në sallën e gjyqit është e nevojshme për fillimin e gjykimit, pasi ai do të vetëmbrohet. Refuzimi i tij bllokon fillimin e gjykimit. Gjykata do të detyrojë emërimin e një këshilltari mbrojtjeje, në mënyrë që të parandalohet pengimi i procedurave”, tha prokurorja Hildegard Uertz-Retzlaff. Kryeprokurori i Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Serzh Bramerz, nuk i pranoi pretendimet e Karaxhiçit, i cili u arrestua vitin e kaluar në Beograd, pas 13 vjetësh në arrati. Por sipas deklaratës së një prej avokatëve të tij, ish-lideri i serbëve të Bosnjës, nuk do të paraqitet as në seancën e sotme të procesit kundër tij në Hagë. Gjatë gjithë aktivitetit të saj, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka ngritur aktpadi ndaj 160 personave, shumica e të cilëve janë serbë. Nga të gjitha rastet, 60 persona janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar, 11 të tjerë janë liruar nga akuzat, 14 raste janë në fazën e apelit, kurse gjykimet e 13 rasteve të tjera u kanë kaluar gjykatave në territorin e vendeve të dala nga ish-Jugosllavia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›