Shpërthen bombola e gazit, vdes emigranti i sapokthyer nga Greqia
URE VAJGURORE - Shpërthen bombola në një pallat në qytetin e Urës Vajgurore, vdes emigranti i sapokthyer nga Greqia. Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme, ndërsa viktimë e saj është 26-vjeçari Ferit Kafuja. Mësohet se viktima ishte kthyer nga Greqia pak ditë më parë, ku ai ishte emigrant ekonomik. Ai kishte gjetur një shtëpi me qira në katin e dytë në një nga pallatet në Urën Vajgurore dhe jetonte i vetëm. Dje, pasi ishte kthyer në banesë në orët e mesditës, Kafuja, baba i një fëmije ka tentuar të ndezë bombolën e gazit për të gatuar. Por sipas policisë, bombola ishte e amortizuar dhe kishte pasur rrjedhje gazi. Për pasojë, në momentin që ai ka tentuar ta ndezë flakët kanë shpërthyer fuqishëm. Ngjarja ka shkaktuar panik tek banorët e pallatit, të cilët kanë nxituar drejt banesës ku u dëgjua shpërthimi. Ata kanë gjetur 26-vjeçarin në gjendje të rëndë, ndërsa e çuan menjëherë drejt spitalit. Banorë të tjerë arritën të shuanin flakët, pasi rrezikohej të digjej plotësisht jo vetëm vendi i shpërthimit, por edhe banesa të tjera të pallatit. Mësohet se viktima ka mundur t’i mbijetojë vdekjes vetëm pak momente pas mbërritjes së tij në spital. d.xh