Posterat e zgjedhjeve presin turistët brenda qytetit-muze
BERAT/ DILAVER XHELILI
Edhe pse kanë kaluar 4 muaj nga përfundimi i fushatës për zgjedhjet parlamentare, fasadat e monumenteve, institucioneve dhe të mjaft banesave në zonat muzeale të Beratit janë ende të shkarravitura apo me postera të grisura të kandidatëve të subjekteve të ndryshme. Kjo situatë ka befasuar turistët e huaj të cilët kanë përzgjedhur qytetin 2400-vjeçar për ta vizituar që pas futjes së saj në UNESKO. Gjithandej nëpër qytet të zë syri mure të shkruara ku bëhet thirrje për të votuar kandidatë të ndryshëm. Gjithashtu, postera që kanë shëmtuar qytetin muze. Shumë prej tyre janë grisur, duke u dhënë lagjeve një pamje të shëmtuar. Situata më shqetësuese në këtë qytet paraqitet në tri lagjet muzeale. Posterat dhe shkarravinat me shkronja të stërmëdha bien menjëherë në sy të turistëve, të cilët gjithsesi nuk e kanë imagjinuar një pamje të tillë në një qytet ku propagandohet për tërheqje të vizitorëve. Burime nga drejtoria e monumenteve pohojnë gjendjen e krijuar. Sipas tyre, turistët nuk mund të gjejnë një shpjegim për “pushtimin” e rrugicave me postera të grisur, të cilat nuk kanë asnjë efekt tjetër veçse të shëmtojnë qytetin. Gjithashtu, fasadat e ndërtesave, disa prej të cilave edhe monumente kulture janë bërë shënime ku bëhet thirrje për të votuar subjekte të ndryshme. Duket se për vetë banorët e Beratit, kjo situatë nuk krijon asnjë ndjesi negative pasi ata janë mësuar tashmë me këtë gjendje. Kjo për shkak se e njëjta pamje përsëritet gjithnjë, pra posterat e zgjedhjeve parlamentare gjejnë ende të pahequra ato të zgjedhjeve lokale. Specialistë të muzeut akuzojnë bashkinë për punë të dobët. “Bashkia pas zgjedhjeve duhej të ndërhynte për pastrimin e fasadave të ndërtesave të qytetit e në veçanti në zonat muzeale, të cilat vizitohen nga turistët e shumtë që vijnë nga shtete të ndryshme të botës. Qyteti i Beratit, tashmë është futur në UNESKO dhe si i tillë duhet të jetë shumë i pastër dhe jo i tejmbushur me postera”, shprehen specialistë të muzeut. Ndërkohë, vetë bashkia e pranon situatën, duke u shprehur se këto postera kanë qenë shqetësim në të gjitha fushatat. “Kjo i takon forcave politike. Ashtu siç i vendosën posterat para fushatave, ashtu edhe t’i heqin pas zgjedhjeve”, u shprehën burime nga bashkia, duke mos e marrë përsipër përgjegjësinë e pamjes që të ofron sot qyteti muze.