Atentati, Haluci u vra i veshur me pardesynë e Azem Hajdarit nga Feriz Kërnaja në 1992
“U vra i veshur me pardesynë e Azem Hajdarit”. Kjo fjali është kultivuar e shtohet pothuaj nga të gjithë menjëherë sapo kujtohet vrasja e Isuf Halucit, autorit të rrengut të florinjtë ndaj ish-Sigurimit të Shtetit në vitin 1985. Dëshimtë thonë se Isuf Haluci, atë ditë ishte vërtet i veshur me një pardesy të bardhë, apo gri të hapur, e ngjashme me atë që në ato kohëra përdorte edhe lideri i lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90, Azem Hajdari. Ndërsa ngjarja e fiksuar në datën 29 shkurt 1992, vendoset në Tropojë, saktësisht në Dushaj, në tragetin “Dardania”, që sapo kishte mbërritur nga Komani dhe po zbarkonte njerëzit e makinat. Isuf Haluci ishte në shoqërinë e disa prej drejtuesve të lartë të Partisë Demokratike, që ktheheshin nga Tropoja pas takimeve elektorale në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbaheshin më 22 mars 1992. Ndërsa Azem Hajdari pritej të vinte edhe ai nga çasti në çast nga “Bajram Curri”, për t’u bashkuar me të tjerët në kthim.
“Ishte koha kur në traget u bë një farë rrëmuje nga njerëzit që zbrisnin dhe ata që ngjiteshin”, rrëfen një dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjes. Sipas të njëjtit, Isuf Haluci ishte ngjitur ndër të parët bashkë me drejtuesit e Partisë Demokratike, por nuk ishte futur në brendësi, duke preferuar të rrinte në urën e tragetit, në të majtë, me shpatulla nga ajo shtylla metalike që mban kavot e urës. “Edhe sot po të udhëtosh me këtë traget do të vëzhgosh vrimat e plumbave në këtë mbajtësen metalike. Duket fishekët ishin blindshpues”, rrëfen i njëjti dëshmitar. Teksa qëndronte në këtë pozicion, në drejtim të Isuf Halucit ishte avitur një njeri i maskuar që mbante në duar një armë. Njeriu i maskuar, që kishte pritur këtë moment i fshehur në banjon e tragetit, ishte pikërisht Feriz Kërnaja, emri i të cilit do të bëhej i njohur më pas pikërisht për autorësinë e vrasjes së Halucit. Kërnaja, pa e zgjatur, i drejton automatikun “Kallashnikov” Isuf Halucit, e thërret në emër dhe kur tjetri kthen kokën, e qëllon nga fare afër pa e hequr gishtin nga këmbëza. “Ishte aq e shpejtë e gjithë kjo, saqë të gjithë dëgjuan vetëm një ohhh... të shkurtër, të dalë nga goja e Isuf Halucit dhe më pas vetëm batarenë e fishekëve që nuk pushonte. Për fat të mirë drejtimi i qitjes dilte jashtë tragetit, në mal, kështu që pasi shpuan trupin e Halucit dhe mbajtësen metalike të urës, plumbat e shumtë fatmirësisht nuk shkaktuan dëme të tjera”, rrëfen dëshmitari. Të gjithë ne, që ishim në traget, na kapi paniku. U shtrimë përtokë. Dikush u fsheh. Madje kam fiksuar edhe një nga politikanët që po mundohej pa sukses të futej poshtë një autoveture. Në këtë kohë, një polic, P. Gjyriçi, që duhet të ketë qenë nga ata që shoqëronin tragetin, apo thjesht të ngarkuar që shoqëronin deri aty drejtuesit e lartë të P. Demokratike, qëllon me pistoletë në drejtim të njeriut më maskë duke e plagosur në këmbë. Tjetri nuk lëvizi. Por edhe nuk iu kundërpërgjigj policit, i cili ose kishte pak fishekë në pistoletë, ose u tërhoq nga iniciativa e vet kur pa njeriun me maskë të treste në ujë gjysmën e fishekëve të krëhërit të dytë të automatikut. Më pas mësova se polici ishte nga i njëjti fis me Feriz Kërnajën, kushëri fare i afërt, dhe se nuk e dinte që ai ishte Ferizi. Nga ana tjetër vrasësi i Halucit e njohu dhe nuk e qëlloi, por duke e zbrazur armën në ujë u mundua ti komunikonte se diçka nuk shkonte”, rrëfen i njëjti dëshmitar. Duke qëlluar në ajër me armë, por edhe duke u munduar të mos e tregonte se ishte i plagosur, Feriz Kërnaja ishte larguar në këmbë në drejtim të malit. Të nesërmen ai do të kapej pa bërë rezistencë dhe pak muaj më pas do të dënohej për këtë vrasje.
I njëjti personazh, Feriz Kërnaja, që vrau Isuf Halucin në tragetin “Dardania” është përfolur të ketë qenë i pranishëm në vrasjen e Azem Hajdarit në Tiranë. Hetimi i vrasjes së deputetit të Partisë Demokratike nuk e ka vërtetuar një fakt të tillë, ndërkohë që kritikë të ndryshëm pretendojnë se njohin fakte bindëse se përse dhe si Kërnaja ka qenë i pranishëm apo i implikuar në këtë ngjarje. Po kështu pohohet se seriali i vrasjeve të iniciuara nga politika në Tropojë ka nisur pikërisht me vrasjen e Isuf Halucës, një temë të cilën “Panorama” do mundohet ta shtjellojë në një cikël të afërt shkrimesh. fe.de
Isuf Haluci, si reagoi Sigurimi i Shtetit pasi mësoi grackën me thesarin
Ferdinand Dervishi
Në numrin e djeshëm gazeta publikoi pjesën e parë të dëshmisë së Skënder Halucit, për historinë e papërsëritshme të djalit të xhaxhait të tij, Isuf Halucit, ish-të dënuarit me vdekje me pushkatim, që në vitin 1985 arriti të fuste në grackë krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ata të Sigurimit të Shtetit, duke i bindur për një thesar imagjinar, të fshehur në një zgavër të lumit Valbonë, në Tropojë. Një thesar, vendndodhja e të cilit do të tregohej nga i dënuari vetëm nëse shteti, drejtësia, do të ndryshonin fatin e jetës së tij dhe të djalit të xhaxhait, të dy të bashkëdënuar me vdekje nën të njëjtat akuza të rënda, si agjitacioni e propaganda, sabotimi, agjentura, tentativa e vrasjes së Ramiz Alisë, tentativa e arratisjes jashtë vendit, shkuar deri te shkelja e dispozitave mbi arin e valutën. Katër ditë para dhënies së vendimit përfundimtar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, atij vendimi që me shumë gjasa do t’i çonte drejt vdekjes, një skuadër e zgjedhur policësh që kishin me vete Isuf Halucin të lidhur këmbë e duar, nisën kërkimet me palombarë në shtratin e lumit pranë fshatit Bujan në Tropojës, të përfshirë nga ethet e gjetjes së një thesari.
...Me të mbërritur te vendi i thesarit, te gropa në lumë, ku Isuf Haluci kishte treguar me gisht vendndodhjen e thesarit, një polic, që bënte zanatin e palombarit, ishte zhveshur për t’u veshur me kostumin e zhytjes të stilit të vjetër, të përbërë edhe nga një skafandër që vendosej në kokë. Pasi ishte bërë gati, edhe pse uji ishte i ftohtë brisk, polici ishte zhytur.
“Kujtoj se Isufi u kishte thënë se florinjtë, rreth 13 kilogramë, i kishte futur në një arkë metalike dhe se këtë, gjatë kohës së verës, kur niveli i ujit kishte rënë, e kishte lidhur me kavo çeliku pas një shkëmbi në fund të shtratit të lumit, në një tip zgavre. Më pas këtë shifrën 13 kilogramë e kam peshuar shpesh në mendje dhe gjithmonë rezultati më ka dalë se duhet të ketë pasur lidhje me 13 akuzat që Sigurimi i Shtetit kishte montuar në adresën tonë. Një profeci e zgjuar e Isufit. Por le të kthehemi te kërkimi i thesarit. Polici që u fut në ujë ishte nga më të zgjedhurit e më të fuqishmit e Repartit Special Nr. 326. E njihnin të gjithë me emër. Por u lodh shpejt duke u zhytur. Sepse lumi kishte pasur prurje të mëdha për shkak të shirave dhe për më tepër uji kishte qenë shumë i ftohtë. Për rrjedhojë polici nuk kishte mundur të kërkonte me kujdes, të eksploronte që të gjitha zgavrat. Ndërsa unë mendoj se zgjedhja e atij vendi për kërkimin e thesarit, ishte sërish pjesë e mendjes gjeniale të Isufit. Pasi në atë zonë të Valbonës edhe në verë, kur ka pak ujë, është e vështirë të shkosh në taban të lumit dhe të eksplorosh të gjitha shpellat e nënujshme”, vazhdon rrëfimin Skënder Haluci.
Pas disa orësh përpjekje polici palombar ishte dorëzuar. Por ishte dorëzuar pa u bindur se kishte eksploruar gjithë zonën që Isuf Haluci qarkonte me gisht diku nën sipërfaqen e ujit të Valbonës. Pra ishte dorëzuar duke e lënë sërish enigmë të vërtetën e thesarit. “Në këtë kohë Isufi u ishte lutur ta linin atë që të zhytej me qëllim që të nxirrte thesarin. Madje u ishte lutur disa herë. Por drejtuesit e këtij operacioni nuk e kishin lejuar. Dhe bënë mirë, pasi Isufi, i katandisur kockë e lëkurë nga torturat, në pothuaj gjysmën e peshës së vet trupore, nuk do të kishte dalë i gjallë që andej. Sigurisht që ai do të tentonte të ikte. Ma kishte thënë që në momentin e parë që më tregoi për rrengun. Më kishte thënë se, sido që të vinte puna, së paku do të arrinte të shihte Tropojën për herë të fundit”, përmbyll rrëfimin për kërkimin e thesarit Skënder Haluci.
Rezultati i rrengut
“Fati ndihmon njerëzit e përgatitur”, thotë batuta e një filmi aksion të Hollivudit. Edhe historia e rrengut të Isuf Halucit në vitin 1985, e rrengut të florinjtë, e menduar me saktësinë e një mjeshtri, e ndihmoi atë dhe djalin e xhaxhait, Skënderin, të vazhdonin të jetonin. Pika e fundit e planit, zgavra gjigande në pikëtakimin e lumit Valbonë me përroin e Shydenicës, kishte qenë vështirësisht e kontrollueshme jo vetëm gjatë sezonit të shirave, por edhe gjatë verës. Kështu që fjala e palombarit se nuk kishte mundur të kontrollonte gjithë shpellat në shtratin e lumit, sërish nuk i kishte lëvizur drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, vetë ministrin Hekuran Isai, por edhe Drejtorin e Sigurimit, Zylyftar Ramizi, nga bindja se Isuf Haluci nuk i kishte mashtruar. Shpejt ata kishin urdhëruar që e gjithë zona që qarkonte pikëtakimin e Valbonës me përroin e Shydenicës të rrethohej me tela me gjemba e të ruhej me roje të armatosur. Të njëjtët ishin kujdesur gjithashtu të shmangnin të gjithë kuriozët, duke varur në disa pozicione të gardhit rrethues tabela që shkruanin se sipërfaqja e rrethuar ishte ekonomi ndihmëse e Degës së Punëve të Brendshme të Tropojës.
“Pas katër ditësh nga kërkimi në Valbonë, mua më nxorën nga qelia dhe më çuan në zyrën e hetuesisë. Aty pashë se kishin çuar edhe Isufin, djalin e xhaxhait dhe kuptova se diçka e madhe ishte duke ndodhur. Pasi ishte kthyer nga Tropoja, Isufi me anë të kodit tonë më kishte shkruar një fjali të vetme: ‘Më duket se u’a futa!’. Prandaj kur e pashë aty, në dhomën e takimeve, të them të drejtën u frikësova. Mendova se Sigurimi i Shtetit mund të kishte zbuluar dredhinë. Por isha gabuar. Pak çaste më pas në dhomë u dha Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Ministri nxori paketën e cigareve dhe na zgjati nga një, mua dhe Isufit. Unë nuk e kam pirë kurrë dhe refuzova. Ai më tha se unë kisha mbetur armik në një mënyrë ku duhet të ketë pasur edhe djallëzi, apo, për atë vetë, edhe humor. Por kur je i dënuar me vdekje, kur jeta është në fill të perit, nuk e kupton, nuk e nuhat dot humorin e të tjerëve, për më tepër të xhelatit tënd. Ishte edhe koha kur sapo kishim mësuar se familjet tona, 18 frymë, i kishin internuar në Kotë të Vlorës. Ministri nisi të na sillte rrotull me ca histori pa rëndësi dhe në fund na tha se Presidiumi i Kuvendit Popullor, Kryetar i të cilit ishte Ramiz Alia, megjithëse ia kishim bërë shumë borxh Partisë e shtetit, na kishte falur jetën dhe se masa e dënimit do të ishte 25 vjet burg. Para se ne të merrnim veten, ministri lëshoi edhe një ‘por nuk e meritoni’ duke u larguar”, rrëfen një nga momentet më të rënda dhe njëkohësisht më lehtësuese të jetës së vet komisioneri Haluci.
Fundi i grackës
Karremi i thesarit kishte bërë punën e vet. Dy të dënuarit me vdekje nga Bujani i Tropojës tashmë kishin shanse të vazhdonin të jetonin, madje falë moshës së re, kishin shanse edhe të jetonin si gjithë të tjerët, të lirë. Më 15 dhjetor 1985, sipas rrëfimit të Skënderit, atë vetë e kishin dërguar në burgun famëkeq të Spaçit, ndërsa Isufin, pak më larg, në burgun e Qafës së Barit. Por ditët pa tortura të Skënder Halucit kishin qenë fare pak. Një tjetër urdhër kishte bërë që ai të transferohej pas dy muajsh, më 18 shkurt 1986, në burgun e frikshëm të Burrelit. “Burgu i Burrelit ishte më i tmerrshmi. Kishte edhe një tabelë në hyrje ku shkruhej me bojë të kuqe ‘Lavdi Marksizëm-Leninizmit. Këtu i thonë Burrel, ku hyn e nuk del’. Por unë isha i ri dhe i fortë. Durova. Më vonë e kam mbledhur në mendje se mbyllja ime në burgun e Burrelit duhet të ishte vendosur dhe materializuar edhe si njëfarë presioni ndaj Isufit, që të mos u’a dridhte. Nga ana tjetër Isufin nuk e lëvizën nga burgu i Qafës së Barit. Aty ai arriti ta merrte veten shpejt fizikisht. Madje nga 50 kilogramë peshë trupore që kishte ardhur, kishte rifituar me shpejtësi peshën e zakonshme, por edhe i kishte ardhur zemra në vend, guximi. Sepse, në fillim të verës së vitit tjetër, 1986, shpura e policëve ishte bërë sërish gati për të nisur kërkimet e thesarit në zgavrën që krijohet nga bashkimi i Valbonës me përroin e Shydenicës. Sepse ëndrra, ajo ëndrra e florinjtë e ministrit Hekuran Isai dhe të tjerëve vazhdonte”, rrëfen Skënderi duke buzëqeshur për herë të parë.
Në burgun e Burrelit Skënder Haluci kishte pasur kohë sa të donte të risillte në mendje historitë e burgosjes, dënimit me vdekje dhe faljes për shkak të thesarit imagjinar që djali i xhaxhait, Isufi, shpiku për t’i shpëtuar këtij dënimi.
“Është e vërtetë që ne të dy përfituam nga rrengu që Isufi thuri për Ministrin Hekuran Isai dhe krerët e tjerë të Ministrisë dhe Sigurimit të Shtetit. Por pas lirimit, në qershor 1991, në vigjilje të vizitës në Tiranë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker, unë kam mësuar edhe për një tjetër rrethanë që mendoj se ka ndikuar shumë te Ramiz Alia në firmosjen e dekretit që e ndryshoi dënimin tonë, nga me vdekje me pushkatim, në 25 vjet heqje lirie. Duhet të ketë qenë pak a shumë kështu. Viti 1985 ishte një vit i përgjakshëm, pasi ishin ekzekutuar me pushkatim disa të dënuar me vdekje nga veriu i vendit. Ishin pushkatuar dy të rinj nga Has, si dhe dy tropojanë, Sokol Sokoli dhe Shkëlzen Doçi i biletave të trenit. Pra ishin pushkatuar gjithsej katër veriorë për një periudhë të shkurtër kohore. Sipas informacionit që unë mësova më pas, pikërisht këto pushkatime të shpeshta kishin detyruar ish-sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së Tropojës, që ishte njëkohësisht anëtar i Komitetit Qendror, të takonte në Tiranë Ramiz Alinë dhe t’i sqaronte se vrasjet nuk ishin mirëpritur nga masa e popullit, se duhet të kishte një masë të pranueshme në ndëshkime të ngjashme dhe se mundësisht ato duheshin ndërprerë për një periudhë të pacaktuar. Prandaj unë mendoj se veç rrengut të thesarit, në faljen e jetëve tona ka ndikuar edhe fakti i pushkatimit në të njëjtën periudhë i katër fatkeqëve nga kjo zonë”, sqaron komisioneri i Avokatit të Popullit.
Biseda e fundit për thesarin e Valbonës mes ideatorit të tij, Isuf Haluci, dhe krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ishte zhvilluar në verën e vitit 1986 në ambientet e burgut të Qafës së Barit.
“Dikush nga Ministria e Brendshme ishte paraqitur për të biseduar me djalin e xhaxhait. I kishte thënë Isufit se koha ishte ngrohur, se niveli i ujit të Valbonës kishte rënë dhe se ishte kishin planifikuar që të shkonin sërish, një nga ato ditë, të kërkonin për thesarin atje, te vendi... Por Isufi, që e kishte marrë plotësisht veten fizikisht, kishte bërë sikur nuk kuptonte. Tjetri ishte detyruar t’i kujtonte se ai, Isuf Haluci, kishte lënë një bisedë përgjysmë me shokun Hekuran Isai... për atë punën e thesarit. Por përgjigja e fundit e Isufit, batuta e tij ‘ik ore, se nuk e kam floririn për Hekuran Isain’ kujtohet pothuaj me eufori nga të gjithë të dënuarit e burgut të Qafës së Barit. Më tej Isufin e kishin rrahur keqaz për gati dy javë. Kujtoj se e sollën në Burrel të masakruar. Por sërish e mori veten shpejt. Sepse kësaj radhe nuk ishte më një i dënuar me vdekje në pritje të ekzekutimit”, përfundon Skënder Haluci, me këtë fragment të fundit historinë e thesarit imagjinar të Valbonës që në vitet 1985-1986, u futi ethet e floririt gjithë krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pa lënë jashtë edhe ata të Sigurimit të Shtetit. Një histori që vetë xhelatët e kohës e pranojnë duke e veçuar djalin e shkathët nga Tropoja, Isuf Halucin, si të vetmin e të vetmëve që arriti të fuste në lojë Sigurimin e Shtetit, atë folenë e grerëzave që gatuante fatin e të gjithë shqiptarëve të rrethuar me gjemba, padallim, qofshin krejt të bindur ndaj regjimit, qofshin pak apo aspak, me përjashtim të gjallesës ekstreme në majë të kupolës.
ferdinanddervishi@yahoo.com