E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Bashkiak sherr për bulevardin, ikin të djathtët

 

ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Bllokimi i bulevardit në Elbasan është rikthyer në mollë sherri në Këshillin Bashkiak të këtij qyteti. Edhe dje këshilltarët e djathtë braktisën mbledhjen e radhës në shenjë proteste. Ata kërkuan hapjen e bulevardit nga teatri “Skampa” deri në kryqëzimin e “1 Maji”-t, për të cilën edhe vetë këshilltarët e majtë kanë qenë në një mendje me ta tetë muaj më parë.
Braktisja e mbledhjes nga ana e këshilltarëve ndikoi në mosmiratimin e pikave të rendit të ditës, të cilat kishin të bënin kryesisht me investimet dhe materiale të tjera që kishin përgatitur komisionet ditë më parë. Kryetarja e grupit të të djathtëve Bardhoshe Sejdini, i kërkoi kryetarit të bashkisë rihapjen për automjetet në pjesën e rikonstruktuar të bulevardit kryesor. Sipas saj, kryebashkiaku nuk ka zbatuar vendimin e marrë 8 muaj më parë në lidhje me hapjen e bulevardit. Ndërkohë, përfaqësuesit e së majtës në këshill e kanë konsideruar si të pavend vendimin për bojkot nga ana e kolegëve të Partisë Demokratike dhe forcave të tjera të djathta. Ata i kërkuan kreut të Këshillit Bashkiak Eugen Isaj të bindë përfaqësuesit e forcës që ai përfaqëson për t’u rikthyer në sallën e këshillit. Por përpjekjet e të majtëve nuk i kanë bindur këshilltarët që të rikthehen në sallën e Këshillit Bashkiak. Bashkia e Elbasanit pretendon se hapja apo jo e bulevardit kryesorë është kompetencë e kryetarit të bashkisë dhe jo e Këshillit Bashkiak. Gjithsesi të dyja kampet vazhdojnë të përplasen me njëra-tjetrën, duke krijuar situata aspak të këndshme në “parlamentin” e qytetit. Kreu i këtij këshilli, Eugen Isaj, u shpreh se “këshilltarët e majtë nuk kanë pse të mos e mbështesin këtë vendim pasi kanë qenë pikërisht ata që kanë votuar pro hapjes së tij rreth 8 muaj më parë”. Pjesa e mbyllur e bulevardit ka kushtuar afro 50 milionë lekë dhe ka përfunduar prej disa muajve. Në mbledhjen e djeshme, e vetmja pikë për të cilën është votuar ka qenë përkrahja sociale, ndërsa pikat e tjera nuk janë diskutuar e as votuar. Ndër pikat që nuk kanë kaluar për votim ishte edhe shembja e 96 objekteve, kryesisht shtëpi banimi që ndodhen në lagjen “Emin Matraxhiu”. Në këtë bllok banesash pritet të marrë jetë projekti për ndërtimin e një segmenti lidhës me unazën jugore të qytetit e cila kalon nëpërmjet korridorit 8. Bashkia me fondet e saj dhe të ministrisë së financave do të ndërtojë 96 apartamente për këta banorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›