Skema e pensioneve pritet që brenda këtij viti të shkojë drejt privatizimit. Për zbatimin e sistemeve private mbi baza të sigurimit vullnetar, brenda këtij viti qeveria do të miratojë ligjin e ri, një element që pritet të sjellë përmirësim të skemës. Pra, pas paralajmërimeve të Bankës Botërore me problemet e sistemit aktual të sigurimeve shoqërore, ku mbulesa e pamjaftueshme e të moshuarve do të sjellë që 40 për qind e tyre në të ardhmen të mos kenë mundësi përfitimi pensioni, ja ku vjen edhe një tjetër alarm. Drejtoresha e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Elizabeta, Gjoni ka deklaruar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, se skema aktuale e sigurimeve është me deficit, ku e vetmja mundësi përmirësimi është zbatimi i sistemit privat suplementar të pensioneve mbi baza vullnetare. Sipas Gjonit, funksionimi i sistemit privat suplementar do të sillte përmirësim, pasi edhe fondet që janë krijuar deri tani e nxisin një gjë të tillë. I vetmi element që po pengon zbatimin e skemës së pensioneve suplementare private është ligji që mbikëqyr këtë sektor, ku kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare e ka cilësuar të dobët. Për këtë, AMF është duke përgatitur ligjin e ri të pensioneve suplementare private, i cili pritet të jetë gati brenda vitit. “Skema aktuale e sigurimeve është me deficit, ku pensionet suplementare private do të ishin rruga më e mirë për funksionimin e skemës. Për mbikëqyrjen e kësaj skeme, ne kemi ende në fuqi ligjin e miratuar që nga viti 1995, i cili është mjaft i dobët. Pra, është e pamundur që skema të funksionojë me këtë ligj. Po ashtu, kemi pasur dhe udhëzime nga FMN-ja, që skema e pensioneve private të mbahet pezull deri në hartimin e ligjit të ri”, saktësoi drejtoresha e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ku brenda këtij viti skema e sigurimit vullnetar do të rregullohet nga ligji i ri. Aktualisht në vendin tonë funksionojnë tre institucione private, të cilët janë licencuar për dhënien e pensioneve suplementare mbi baza vullnetare. Kreu i AMF-së, Gjoni, pohoi se për mbikëqyrjen e tyre nga ana e institucioneve është nxjerrë një udhëzim, pasi ato nuk mund të mbikëqyren me ligjin e vjetër.
BB: Pensionet private duhet të zbusin konsumin
Sipas Bankës Botërore, sistemi vullnetar duhet financuar, në mënyrë që asnjë kompani, qoftë kjo publike apo private, të mos ketë detyrime ekstra, të cilat mund t’i kalohen shtetit. Për këtë, Banka Botërore kërkon që struktura aktuale e tregut financiar të rishikohet, por edhe nga pikëpamja e rregullave dhe mbikëqyrjes. Këto do të përcaktonin se sa e gatshme është Shqipëria të hartojë një sistem pensionesh private, që do të funksiononte në mënyrë aktive. Përveç rolit që një sistem i tillë mund të luajë në garantimin e përfitimeve për të moshuarit, një sistem i tillë do të përfitonte gjithashtu edhe nga zhvillimi i tregjeve financiare. Në periudhën e ndërmjetme, qeveria mund të krijojë një fond të veçantë për pensionet, me rregulla të qarta loje, me synim privatizimin e tij në të ardhmen. Pra, sipas Bankës Botërore, në zbatimin e pensioneve vullnetare qeveria duhet të sigurohet që ato të plotësojnë rolin kryesor të zbutjes së konsumit.