Politika shqiptare për Kosovën

-Zoti ministër, a ka një vlerësim qeveria e Shqipërisë për gjendjen në Mitrovicë dhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, siç kërkon Beogradi, përkundër mospajtimit të autoriteteve vendore dhe ndërkombëtarë në Prishtinë?
Lulzim Basha: “Më lejoni të filloj nga pyetja e dytë. Qëndrimi i Shqipërisë është shumë i qartë: Asnjë shtet nuk ka të drejtë të organizojë zgjedhjet e tij në territorin e një shteti tjetër. Në këtë kuadër, realiteti në Ballkan është tashmë ai që njohin të gjithë, që e pranojnë pjesa më e madhe, pjesa më e rëndësishme e komunitetit ndërkombëtar dhe në këtë realitet të ri në Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, asnjë shtet tjetër nuk ka të drejtë të organizojë zgjedhjet e tij. Besojmë se bashkëpunimi dhe koordinimi mes autoriteteve të Prishtinës dhe autoriteteve ndërkombëtare, bashkëpunim shumë i suksesshëm ky, do të kurorëzohet edhe në këtë rast me një vendimmarrje të duhur, e cila sigurisht do të reflektojë të njëjtën maturi dhe gjakftohtësi, me të cilën i kanë përcjellë të gjitha ngjarjet, duke përfshirë këtu edhe provokimet, autoritetet e Prishtinës dhe populli i Kosovës deri më sot dhe duke provuar katërcipërisht se Kosova është dhe vazhdojnë të mbetet tërësisht e angazhuar në stabilitetin rajonal dhe më gjerë”.
-Megjithatë, zoti Basha, a nuk duket se në Mitrovicë ka një problem serioz, pasi përfaqësuesit e UNMIK-ut dhe të EULEX-it kanë vështirësi të mëdha në funksionimin e tyre?
“Në këtë kontekst, mungesa e reagimit të menjëhershëm dhe efikas, sigurisht që inkurajon forcat radikale, nxit kontrabandën, kriminalitetin, evazionin fiskal, çka është me pasoja jo vetëm për paqen dhe stabilitetin e Kosovës, por edhe për zhvillimin e ekonomik të saj. Kjo do të dëmtonte edhe vetë imazhin e prezencës ndërkombëtare në Kosovë dhe mund t’u hapë rrugën zhvillimeve të paparashikuara me ndikim negativ për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe serbët, por edhe për rajonin në tërësi. Kështu që, në këto kushte, Ministria e Jashtme e Shqipërisë përsërit thirrjen për UNMIK-un, por edhe për misionin e BE-së dhe të KFOR-it, për të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe për të ruajtur tërësinë territoriale të Kosovës, sigurimin e funksionimit të institucioneve të saj në të gjithë territorin, duke përfshirë veriun e Mitrovicës, pasi vetëm kjo garanton ndërtimin e një Kosove demokratike, të qëndrueshme dhe paqësore. Ne jemi të bindur që UNMIK-u do ta kurorëzojë me sukses misionin e vet në këtë periudhë me sfidat e tranzicionit, gjatë kalimit të kompetencave tek institucionet vendore dhe tek zyra civile ndërkombëtare. Dhe, në këtë kuadër, do të gëzojë ashtu si dhe vetë Kosova, një mbështetje të gjerë politike, por dhe ekonomike nga ana bashkësisë ndërkombëtare”.
-Zoti ministër, çfarë duhet të kuptojmë me frazën tuaj “zhvillime të paparashikueshme”?
“Unë përsëris atë që autoritetet ndërkombëtare, aleatët tanë kanë shprehur gjithmonë; që është e domosdoshme që reagimi i autoriteteve ndërkombëtare të jetë i menjëhershëm dhe efikas e të mos tolerojë hapësira që do të inkurajonin forcat radikale”.
-Çfarë qëndrimi do të mbani nëse përballemi me fillimin e mundshëm të bisedimeve Kosovë-Serbi? Nisem nga deklarata e ministrit të Jashtëm slloven, Dimitri Rupel, i cili pas kthimit të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun nga Moska, tha: “Zoti Ban ka ide të reja”.
“Procesi ka ecur tanimë dhe askush nuk mund të mbyllë sytë përpara këtij realiteti. Tani është koha që bisedimet midis fqinjëve të përqendrohen në të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të tyre dhe të të gjithë rajonit, në këtë kuadër edhe bisedimet e mundshme të pritshme midis shtetit të pavarur të Kosovës dhe shtetit të Serbisë, shtetit të Shqipërisë apo shteteve të tjera në rajon. Pra, duhet të fokusohen në potenciale për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, bazuar në perspektivën evropiane dhe euroatlantike të rajonit”.
-Ndërkohë, po ndërtohet një kompleks banesor në një zonë që lidh komunat e Novobërdës me Graçanicën. Shqiptarët e Kosovës e kundërshtojnë këtë, me argumentin se shërben për të lidhur këto dy komuna dhe, rrjedhimisht, frikë për një ndarje të Kosovës. A besoni se kjo mund të ndodhë?
“Asnjë skenar i cili ka për bazë garantimin e të drejtave të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga përkatësitë etnike, nuk mund të kërcënojë integritetin territorial. Nga ana tjetër, çdo përpjekje për të përdorur skema të zhvillimit të Kosovës, skema të garantimit të të drejtave të banorëve të saj për të promovuar axhenda që shkojnë drejt parcelizimit, enklavizimit apo cenimit në forma të ndryshme të integritetit territorial të Kosovës, sigurisht do të marrin të njëjtën përgjigje nga komuniteti ndërkombëtar e, në këtë kuadër, edhe nga Shqipëria”.
-Zoti Basha, mbi zhvillimet në qeveri dhe në PD, çfarë nuk shkon?
“Ne jemi tërësisht të përkushtuar në kuadër të proceseve integruese, të kalojmë së bashku me forcat e tjera parlamentare paktin zgjedhor. Reforma zgjedhore, e cila është nënvizuar për një kohë të gjatë si një nga prioritetet e Shqipërisë, edhe nga aleatët vazhdon të mbetet tema kryesore e diskutimit të jetën parlamentare të Shqipërisë, në qeveri dhe në PD”.