E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mbytur në borxhe

Borxhi i jashtëm vazhdon të shënojë rritje. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, borxhet e shtetasve shqiptarë nëpërmjet pagimit të taksave janë rritur në 200 milionë euro. Pra, e thënë ndryshe, nëse borxhet e çdo shqiptari para një viti ishin 600 euro për person, tani ata duhet të paguajnë 700 euro për person. Shkaku i rritjes së borxhit mbeten përqindja e lartë e kredive afatgjata që ka marrë shteti shqiptar ndaj shteteve të tjera. Vetëm gjatë vitit 2007 janë marrë kredi afatgjata në vlerën e 129 milionë eurove, nga të cilat 93 për qind e tyre kanë shkuar për sektorin publik. Pra, borxhi i jashtëm i Shqipërisë vazhdoi të rritet gjatë vitit 2007, ndonëse me ritëm më të ulët se një vit më parë. Totali i borxhit të jashtëm arriti në nivelin e 2 miliardë eurove, nga 1.8 miliardë që ishte më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo rritje është shkaktuar kryesisht nga rritja e detyrimeve afatshkurtra të bankave tregtare në formën e huave, monedhave dhe depozitave. Duke parë kompozimin e borxhit të jashtëm, mbizotërojnë huatë afatgjata me rreth 73 për qind të totalit të borxhit të jashtëm, apo rreth 1.5 miliardë euro. Huatë afatshkurtra përbëjnë 11.3 për qind të totalit të borxhit, apo rreth 226 milionë euro. Edhe pse disa tregues relativë të borxhit paraqesin përmirësim, kjo me raportin e borxhit të jashtëm kundrejt eksporteve të mallrave dhe shërbimeve të ekonomisë gjatë vitit, ku shifrat tregojnë se ai arriti në 87.8 për qind në fund të vitit 2007, duke rënë me 12 pikë përqindje nga niveli që kishte ky raport në fund të vitit 2006. Rënia e këtij raporti sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë vjen si rezultat i rritjes më të shpejtë të eksporteve të Shqipërisë kundrejt detyrimit të borxhit të jashtëm. Por pavarësisht ndryshimit të këtij raporti, borxhi i jashtëm mbi Produktin e Brendshëm Bruto ka pothuaj të njëjtin nivel si në vitet e mëparshme. Pra, borxhi i jashtëm vazhdon të zërë një përqindje të lartë të PBB-së. Po ashtu, në fund të vitit 2007, detyrimet në euro zinin pjesën më të madhe të borxhit të jashtëm, me rreth 49 për qind, duke u ndjekur nga ato në franga zvicerane në 36 për qind. Detyrimet e borxhit të jashtëm në formën e instrumenteve në dollarë amerikanë kanë zënë një pjesë të vogël, rreth 7 për qind të totalit të detyrimeve. Shqipëria gjatë vitit 2007 ka paguar 24 milionë euro për të shlyer interesat mbi borxhin e saj të jashtëm, edhe pse ato vlerësohen në rënie në krahasim me vitin 2006. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›