E Shtunë, 31 Tetor 2026

200 studentë me diploma të pavlefshme

Janë 170 studentë, të cilët mbajnë në duar një diplomë të pavlefshme. Konkretisht bëhet fjalë për studentët e Ekonomikut dhe ata të Juridikut. Edhe pse kanë përfunduar studimet katërvjeçare në degët e tyre, ata nuk mund të dalin në punë dhe madje nuk mund të aplikojnë as për shkollën e magjistraturës dhe as për master apo kualifikime në vende të tjera, derisa diplomat e tyre të bëhen të vlefshme. Lajmin e ka konfirmuar Ledio Sali, anëtar i senatit të Universitetit të Tiranës. Sipas tij janë 100 studentë, të cilët kanë aplikuar për master në universitetet e huaja. Por as studentët dhe as institucionet që po komunikojnë me ta deri dy ditë më parë nuk dinin që diplomat e studentëve shqiptarë ishin të pavërteta. Rreth 70 studentë, të cilët kanë aplikuar për magjistraturë, janë informuar se nuk mund të kalojnë procedurat, pasi diplomat e tyre nuk i plotësojnë standardet.

Problemi ka lidhje me Ministrinë e Arsimit, e cila nuk ka hedhur në regjistrin e posaçëm numrat dhe të dhënat e këtyre diplomave.

Ministria e Arsimit ka 8 muaj që diplomat i kthen mbrapsht dhe nuk gjendet një rrugë e mesme mes këtij institucioni dhe Universitetit të Tiranës. Studentët kanë mbaruar këtë vit, ata janë diplomuar në sistemin katër plus një.

Ditën e hënë studentët që u diplomuan në Juridik kishin për të dhënë provimin, ndërkohë që ditën e martë janë njoftuar se "diplomat tuaja janë të pavlefshme, ato nuk janë të regjistruara".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›