E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fituesit në fakultete, sot dalin përgjigjet

Sot universitetet shpallin listat e fituesve që do të nisin studimet në një nga fakultetet në të gjithë vendin.

Ndërsa ka përfunduar procesi i lidhjes së pikëve me emrin e kandidatit për student, sot, në të gjithë vendin, pritet të shpërndahen të gjitha listat dhe të afishohen pranë fakulteteve përkatëse. Ka qenë një proces i gjatë dhe i lodhshëm, si për kontrolluesit e pikëve, ashtu edhe për maturantët dhe familjarët e tyre. Por data 11 shtator është konsideruar si faza e parë e shpalljes së rezultateve. Më pas do të ketë edhe faza të tjera, të vendeve vakante, spostimit të listave si dhe vendimeve të tjera që do të merren në ndihmë të maturantëve.

Në qytetet si Tirana apo Durrësi nuk mendohet se do të ketë vonesa, afishimi i të dhënave të çdo kandidati për student do të bëhet në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që në qytete të tjera më të largëta, rezultatet do të afishohen rreth mesditës. Pas publikimit të listave me emrat e studentëve fitues do të fillojë edhe regjistrimi i studentëve. 11 universitetet publike në vend kanë propozuar rreth 22 mijë kuota për studentët konkurrues. Numrin më të madh të pranimeve do ta ketë Universiteti i Tiranës, që ka propozuar për të tetë fakultetet e tij përbërëse rreth 7200 kuota pranimi për sistemin me kohë të plotë. Sipas udhëzimit të specialistëve të Ministrisë së Arsimit, edhe pse kandidatët do të shpallen fitues vetëm në një degë, për ta ekziston një shans tjetër për një preferencë më të mirë. Kjo do t‘i japë mundësi të gjithë atyre nxënësve, të cilët njëkohësisht kanë aplikuar edhe në universitetet e huaja dhe do t‘i vazhdojnë atje studimet. Ata nuk do të paraqiten në fazën e parë të regjistrimeve, duke krijuar kuota të parealizuara. Prej tyre do të përfitojnë kandidatët që janë shpallur fitues në një preferencë të ulët, por duke mbetur një vend bosh në një preferencë më të lartë, programi automatikisht do t‘i ngjisë ata në degën e kërkuar. Por kandidatët duhet të kenë bërë regjistrimin paraprak në fakultetin ku fillimisht kanë fituar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›