E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollat, masa për higjienizim me ujin me orar

Nuk do të ketë asnjë shtyrje afati, shkollat do të hapen më datë 14 shtator. Vendimi është marrë më shumë se dhjetë ditë më parë nga institucionet shëndetësore dhe arsimore. Por pa nisur ende shkolla, Drejtoria e Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe Instituti i Shëndetit Publik, kanë nisur të trajnojnë dhe të shpërndajnë direktiva te mësuesit e shkollave. Do të jenë ata që do të kujdesen për nxënësit e shkollave, për monitorimin e situatës dhe në të njëjtën kohë edhe për shpërndarjen e informacionit te nxënësit, mësuesit, prindërit.

Specialistë të ISHP-së kanë udhëzuar mjekët e shkollave dhe specialistët e promocionit në të gjithë vendin se si do t‘u duhet të veprojnë për të parandaluar përhapjen e shpejtë të virusit.

Higjiena

Veç udhëzimeve, këshillave dhe direktivave, ajo që është theksuar dje nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik ka qenë lidhur me higjienën dhe pastërtinë në institucionet arsimore.

Konkretisht, sipas Gazmend Bejtjes, drejtor në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, shkollat duhet të pastrohen dhe higjienizohen disa herë në ditë, higjiena personale dhe ajo vetjake duhet të jetë kolona zanore gjatë qëndrimit të nxënësve në shkolla. Dezinfektimi i shkollave, larja e herëpashershme e ambienteve të brendshme, higjiena personale e nxënësve, si dhe mënyrat si të mbrohen nga përhapja e virusit AH1N1 janë masat e rekomanduara në këtë prag të fillimit të procesit mësimor.

"Higjiena personale dhe e ambientit duhet të jenë në një nivel të lartë. Kur ka shenja klinike të gripit, mirë është që nxënësit të mos paraqiten në shkollë dhe të marrin një kurim të kujdesshëm në ambientet e shtëpisë, nën udhëzimin e mjekut", u shpreh drejtori i Shëndetit Publik, Gazmend Bejtja.

Problemi

Problemi i shkollave edhe në kryeqytet mbetet kapaciteti i ujit dhe furnizimi i institucioneve arsimore në të njëjtat orare dhe kohëzgjatje njësoj si në lagjet e kryeqytetit. Ashtu siç uji mbërrin në dyert e qytetarëve çdo ditë në rastin më të mirë, tre herë në ditë, ashtu ndodh edhe në shkolla. Zakonisht shkollat 9- vjeçare dhe ato të mesme nuk kanë ujë 24 orë, përdorimi i banjave është i kufizuar, ndërkohë që sanitaret pastrojnë dhe "higjienizojnë" me ato kushtet dhe ato mjete që i ndodhen.

Për sa i takon ujit, në banjat e shkollave zakonisht ka disa fuçi dhe kova uji, të cilat mbushen enkas për këtë punë, për të larë dhe për të fshirë ambientet e shkollave sa herë vjen uji.

Për sa i takon higjienizimit me mjete të posaçme apo solucione, këto ende nuk janë diskutuar se si do të përballohen nga shkollat. Asnjë informacion nuk bëhet i ditur, nëse detergjentët higjienizues do të blihen nëpërmjet fondeve të posaçme apo nëse shkollat duhet të kujdesen dhe të ndajnë veç një fond enkas për këto produkte. Sakaq, fletëpalosjet dhe udhëzimet, posterat e materialet e tjera të sensibilizimit do të jepen nga Ministria e Shëndetësisë. Bashkë me to shumë shpejt do të nxirret në qarkullim edhe një manual enkas për prindërit. Në këtë manual do të përshkruhet e gjithë puna dhe i gjithë kujdesi që duhet të tregojnë të afërmit në rast se kanë në shtëpi një fëmijë të sëmurë, masat dhe këshillat që duhet të ndiqen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›