E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen me ora dhe bizhuteri "firmato", dy në pranga

Ndalohen në Sarandë për kontrabandë dhe lekë false dy tiranas. Agjentët e seksionit të luftës kundër pastrimit të parave dhe krimeve të policisë së Sarandës kanë vënë në pranga dy shtetas të akuzuar për "kontrabandë" dhe "falsifikim të kartëmonedhave". Mësohet se Dëfrim Mata, 21 vjeç, banues në Bërxullë të Tiranës dhe Avni Gjika, 24 vjeç, lindur në Bulqizë e banues në Babrru kanë rënë në prangat e policisë mëngjesin e së mërkurës. Sipas burimeve policore, këtyre shtetasve u janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 9 ora dore të markës "Rado", 3 "Rolet", 8 "Breitling", 7 unaza të markës "Versaçe", si dhe 1 kartëmonedhë prej 100 dollarësh amerikanë, e dyshuar si false. Ata kanë pohuar se mallin e merrnin nga Tirana dhe e shisnin në Sarandë. Ndalimi i shtetasve Dëfrim Mata dhe Avni Gjika është bërë për veprën penale "falsifikim të kartëmonedhave" dhe "tregtim të mallrave kontrabandë". Dokumentacioni në ngarkim të këtyre shtetasve i kaloi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›