E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuneli Rrëshen-Kalimash, në prag të "pushimeve" të gjata

Prej shumë ditësh në Kukës dhe më gjerë flitet jo pa shqetësim se në mesin e muajit shtator do të mbyllet tuneli i Kalimashit, për t‘u hapur i përfunduar krejtësisht vetëm pas një apo dy muajsh. Pyetëm disa inxhinierë shqiptarë si dhe ndonjë turk që punonte në tunel, por asgjë zyrtare nuk u pohua për këtë çështje. Por shqetësimi që tuneli i Kalimashit, përkatësisht galeria e veriut, ishte vënë në funksion ende pa u përfunduar, kishte ndezur me të vërtetë një debat edhe brenda personelit drejtues inxhiniero-teknik. Madje një përkthyese që nuk deshi të identifikohet, tha se për çështjen e tunelit ishte zhvilluar dje një mbledhje e posaçme mes tre kompanive: "Bechtel", "Enka" dhe "Savernik" (që merret me sigurinë e tunelit), si dhe me përfaqësues të qeverisë shqiptare, përkatësisht të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. "Aty është diskutuar për tunelin dhe është vendosur për ecurinë e mëtejshme të punës pa e mbyllur galerinë veriore", tha përkthyesja. Ajo shtoi se diskutimi, i cili mund të rihapej sërish, ishte përqendruar më shumë te kohëzgjatja e pezullimit të trafikut të mjeteve, se sa te fakti që do të mbyllet apo jo. Por një burim tjetër jozyrtar tha se përderisa tuneli jugor do të përfundojë pas dy muajsh, galeria veriore do të vazhdojë deri atëherë me gjithë mangësitë që paraqet. Në mesin e galerisë, në pjesën e pabetonuar vërehen deformime të dyshemesë, sepse ende nuk është shtruar bazamenti përfundimtar. Por një teknik turk, me një shqipe jo shumë të qartë, tha se tuneli nuk do të mbyllej. "Stinën turistike e kemi kaluar, tani ka më pak trafik në autostradë dhe më pak telashe në menaxhimin e hyrje-daljeve në tunel", tha ai, duke përsëritur ndoshta një argument të takimit të posaçëm të zhvilluar për këtë çështje.

Inxhinierët komentojnë se ka qenë vërtet një guxim vënia në funksion e tunelit para se ai të përfundonte. "Vënia në punë e tunelit, që në fund të qershorit i ka sjellë Shqipërisë rreth 1 milion turistë, por edhe mbajtja e sigurisë së tunelit dhe menaxhimi i trafikut të dendur, kanë pasur kosto jo të vogël financiare", tha një teknik shqiptar, duke dhënë një opinion të tijin.

Tuneli i Kalimashit është jo vetëm vepra më e madhe infrastrukturore e vendit dhe më gjerë, e cila ka kushtuar jo pak, por është edhe vepra që u përfol aq shumë dhe vazhdon të përflitet sot e kësaj dite, kryesisht për tejkalim shpenzimesh, abuzime etj. Por për tunelin ka një lumë komentesh pozitive që i atribuohen Kryeministrit dhe askujt tjetër. Madje edhe zyrtarë rajonalë në Kukës e kanë thënë publikisht se ai, tuneli, duhet të quhet "Tuneli Berisha". Edhe vetë Kryetarja e vjetër dhe e re e Parlamentit e ka quajtur kështu. Ajo ka thënë gjatë fushatës në Kukës se kjo autostradë do të quhet "Autostrada Berisha". Të pafundme e të pakursyera janë edhe komentet lavdëruese të kosovarëve etj. Por, komentet e ftohta nuk e lidhin tunelin vetëm me fondet e shpenzuara, apo me leverdinë strategjike për shqiptarët. Ai u inaugurua vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit dhe sa më shumë që largohemi nga kjo datë, aq më mirë kuptohet edhe funksioni elektoral i tunelit, më saktë përdorimi i tij. Sidoqoftë, hamendjet apo edhe debatet për mundësinë e mbylljes së tunelit, qoftë edhe për një kohë të kufizuar, kanë shkaktuar zhgënjim tek udhëtarët. Ka prej atyre që komentojnë kështu: "Do të qëndrojmë mbyllur, nuk do të lëvizim derisa tuneli të rihapet. Nuk udhëtohet më në rrugën e vjetër", tha një tregtar që e bënte shpesh rrugën për Tiranë. Por ka dhe prej atyre, kryesisht nga njerëzit më të informuar për tunelin, që e argumentojnë pozitivisht mbylljen e përkohshme. "Pas një apo dy muajsh do të hapen që të dyja galeritë e përfunduara. Më mirë atëherë", tha një punëtor i autostradës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›