Hajduti masakron rojën e parkingut
Shkon të vjedhë makinën, plagos me mjete të forta rojën e parkingut. Policia ka arrestuar një 15-vjeçar si autor të kësaj ngjarjeje të rëndë disa orë më pas, ndërsa motiv mësohet se ka qenë moskorrektësia e adoleshentit kundrejt një shume lekësh që duhet t‘i kthente, si dhe kapja e tij në flagrancë, duke ndërhyrë në një makinë për të vjedhur brenda saj. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë së Ballshit bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se mbrëmjen e së mërkurës, E. Serjani, 15 vjeç lindur e banues në Ballsh, ka plagosur me mjete të forta 65-vjeçarin, Avni Haxhiaj, ky i fundit lindur në Belishovë dhe banues në Ballsh. Nga burime policore mësohet se adoleshenti ka shkuar në parkingun ku i moshuari punonte si roje, me qëllim vjedhjen e një makine apo sendeve që ndodheshin brenda saj. Serjani njihej me të moshuarin dhe i kishte marrë borxh një shumë lekësh, të cilat nuk ia kishte kthyer ende, ndonëse kishin kaluar disa kohë. Për këtë gjë i moshuari kishte njoftuar edhe prindërit e 15-vjeçarit dhe i kërkonte me ngulm. Në shenjë hakmarrjeje, E.Serjani arrin të futet në mjediset e parkingut privat, që ndodhet shumë pranë qendrës së qytetit të vogël të Ballshit. Ndërsa po ndërhynte në derën e një makine për ta hapur, ai është dalluar nga roja, Avni Haxhiaj. Ky i fundit i është afruar 15-vjeçarit për ta ndaluar, por adoleshenti e ka qëlluar atë me levë në kokë. Sikur të mos mjaftonte kjo, i mituri e ka goditur 65-vjeçarin me gurë dhe dërrasa. Pas kësaj ai është larguar me vrap nga parkingu dhe në ndihmë të të moshuarit kanë shkuar banorë të zonës, të cilët kanë parë të gjithë skenën. Ata kanë marrë Avni Haxhiajn dhe menjëherë e kanë nisur drejt spitalit rajonal të Fierit në kushte të rënda dhe pothuaj pa shenja jete. Disa orë më vonë ai ka rënë në gjendje kome, gjë që i ka detyruar mjekët e spitalit që ta dërgojnë atë me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Haxhiaj ende nuk ka dalë nga gjendja e komës dhe paraqet rrezik për jetën. Policia është njoftuar për ngjarjen disa minuta pas ndodhjes së saj. Menjëherë uniformat blu kanë nisur operacionin e kapjes së autorit. Identifikimi i tij është bërë nga dëshmitë e siguruara nga vendi i ngjarjes. Në orët e vona të së mërkurës policia ka mundur të arrestojë E.Serjanin, në banesën e disa të afërmve të tij. Atij i është komunikuar akuza e plagosjes së rëndë me dashje. Gjatë marrjes në pyetje, autori 15-vjeçar ka pranuar krimin e kryer dhe ka shpjeguar se Avni Haxhiaj punon si taksist dhe disa ditë më parë 15-vjeçari e kishte marrë atë për një shërbim me taksi. Për këtë ai nuk i kishte dhënë lekët, duke i premtuar se do ta likuidonte disa ditë më vonë. Haxhiaj fillimisht ka rënë dakord, por më pas ka njoftuar prindërit e tij, duke i sinjalizuar për veprimin e të birit. Në shenjë hakmarrjeje, ai ka shkuar te parkingu ku ishte i punësuar 65-vjeçari dhe duke tentuar ta nxjerrë atë "të paaftë" e ka sulmuar kur është zbuluar prej tij.