2000 firma në mbështetje të Bosnjës dhe Shqipërisë
Më shumë se 2000 njerëz kanë nënshkruar një nismë që i propozon Komisionit Europian të ndryshojë planin për liberalizimin e vizave me Ballkanin Perëndimor. Qëndrimi aktual i Komisionit Europian që favorizon Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi konsiderohet si rrezik që sjell destabilizimin e Europës Juglindore dhe mund të rrisë tensionet në shoqëritë e brishta. Peticioni kërkon nga Komisioni Europian që të përfshijë në propozimin për heqjen e vizave të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Midis 2000 nënshkruesve të peticionit janë tre ish-përfaqësues të lartë të Bosnjës: Lordi Pedi Eshdaun, Volfgang Petritsh dhe Kristian Shvarc-Shilling. Sakaq, të njëjtin veprim kanë bërë edhe disa parlamentarë evropianë që kanë pranuar të nënshkruajnë peticionin e iniciuar në Bosnjë. Këtu përfshihet udhëheqësi i grupit të gjelbër Daniel Cohn-Bendit dhe Rebecca Harms, kryetarja e delegacionit për Europën Juglindore, Doris Pack (PPE), dhe politikanë të tjerë të pavarur. Lista e firmëtarëve përfshin edhe kreun e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Louise Arbour, drejtorin e Fondacionit Kulturor Europian, Gottfried Wagner. Deklarata për shtyp mbi peticionin u lëshua në të njëjtën ditë kur Parlamenti Europian ishte planifikuar të diskutonte mbi planin e liberalizimit të vizave me disa vende të Ballkanit Perëndimor. Plani parashikon heqjen e vizave për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë teksa përjashtohen Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Bosnja. Nënshkruesit e peticionit argumentojnë se niveli i reformave në Serbi dhe Malin e Zi është në të njëjtin stad me Bosnjën. Në mbështetje të kësaj logjike konstatohet se vendimi për të hequr vizat për këto shtete është më shumë politik se sa teknik. Peticioni kërkon bashkimin e Bosnjës me grupin që përfiton nga heqja e vizave, me kusht që kriteret e mbetura të plotësohen. Sakaq kërkohet që të fillojë dialogu me Kosovën për të përfituar edhe ajo nga ky regjim teksa Shqipëria duhet parë me një sy më pozitiv sa i takon reformave. "Njëzet vjet pas rënies së Murit të Berlinit, është koha për të hequr ndalesën e fundit të udhëtimit në Europë", thonë firmëtarët.