Kreu i PS, Rama-Lakrori shpalosin platformat në Kukës
Edi Rama dhe Maqo Lakrori kanë paraqitur të mërkurën në Kukës para bazës socialiste platformat e tyre të drejtimit të opozitës nëse zgjidhen në krye të PS në Kongresin e 26 shtatorit 2009. Rreth 300 socialistë të deleguar të bazës së partisë kanë ndjekur në Pallatin e Kulturës në Kukës paraqitjen programore që kanë zhvilluar të dy kandidatët, përkatësisht Rama, si kryetar në detyrë, dhe Lakrori që kandidon rishtas. I pari që paraqiti platformën ishte Maqo Lakrori, i cili u shpërndau të pranishmëve edhe një fletëpalosje, ku jepej në mënyrë të detajuar programi i tij për drejtimin e PS. Krahas atyre çështjeve të njohura siç janë: kontestimi i rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe protestat demokratike, kushtëzimi i hyrjes në Parlament i deputetëve të Partisë Socialiste etj., Lakrori paraqiti edhe synimet për reformimin e vetë Partisë Socialiste. Në tërësi platforma e Lakrorit mund përmblidhet, siç edhe ai vetë nënvizoi gjatë fjalimit, në pesë pika kryesore: siç janë reformimi i pushtetit qendror dhe atij lokal, reformimi i vetë Partisë Socialiste, realizimi i zgjedhjeve të parakohshme nëpërmjet rrugëve institucionale dhe fitorja e së majtës në këto zgjedhje, bashkimi i së majtës dhe instalimi i marrëdhënieve të reja me grupet e interesit, me zgjedhësit dhe me partnerët ndërkombëtarë. Lakrori tha gjithashtu se bashkimi i së majtës ishte një imperativ i kohës dhe një aksion i mundshëm pas "për nga kushtet ekonomiko-sociale ne jemi popull i majtë". Duke marrë fjalën, Edi Rama iu përmbajt në vija korrekte atyre që ka deklaruar edhe më herët lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit, veçanërisht me sistemin e numërimit të votave ku, siç perifrazoi ai një raport të ndërkombëtarëve për zgjedhjet, "në 1/3 e qendrave të vendnumërimit të votave ka pasur probleme", duke shtuar se në këto kushte nuk mund të pretendohet për zgjedhje të drejta. Shefi i opozitës tha se Partia Socialiste kishte kontribuar aq shumë për një proces zgjedhor të standardeve por që mjerisht, pushteti, sipas tij manipuloi me njerëzit, duke diktuar edhe rezultatin e zgjedhjeve nëpërmjet presionit të zgjedhësve për t‘i hequr nga puna nëse nuk do të votonin, nëpërmjet largimit nga puna të njerëzve me bindje të majta. "Po vazhdon të ndiqet një politikë shumë agresive ndaj njerëzve të Partisë Socialiste, të mësuesve, mjekëve etj., që janë deklaruar si përkrahës të opozitës", tha Rama. Duke rimarrë në analizë edhe rezervat që kanë shfaqur ekspertët e huaj për zgjedhjet, veçanërisht për numërimin, Rama tha se rezultati i dalë nga këto zgjedhje nuk pasqyron vullnetin real të zgjedhësve, "aq më tepër kur bëhet fjalë për një numër prej vetëm 12 mijë votash, vetëm kaq vota e ndajnë historinë e këtyre zgjedhjeve". Rama shkoi me tej duke shtjelluar argumentet për presionin që siç tha, u është bërë njerëzve për të votuar pushtetin aktual. "Bajraktarët e komunave kanë përdorur ndihmën ekonomike për të skllavëruar njerëzit në këmbim të votës", tha ai. Rama la të kuptohet se nuk kontestonte rezultatin e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit si të tillë, por do të kërkonte transparencën e votave, rikthimin në punë të të gjithë atyre që u ndëshkuan nga pushteti për bindjet e tyre, si dhe kërkesa të tjera të bëra tashmë publike dhe që janë kushtet që socialistët të hyjnë në Parlament.