E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Rama t‘i lexojë mirë mesazhet ndërkombëtare

Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, ka përforcuar dje deklaratën e presidencës suedeze dhe komisionierit Olli Rehn, duke garantuar se Tirana zyrtare do të zbatojë të gjitha detyrimet që e afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Europian. Pas raportit të publikuar nga misioni i OSBE-ODIHR-it, në të cilin u citua se këto zgjedhje kanë shënuar progres krahasuar me zgjedhjet e mëparshme dhe, se nuk kishte prova për manipulim rezultati, apo për numërim të parregullt, erdhën edhe deklaratat e përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Europian, të cilët gjithashtu konfirmojnë se Shqipëria është sot më afër BE-së. "Jam këtu për të përshëndetur deklaratën e djeshme të presidencës së Bashkimit Europian, dhënë nga ministri i Jashtëm suedez, Karl Bild, dhe deklaratën e komisionerit europian për zgjerimin, Olli Rehn, të cilët kanë vërtetuar edhe një herë me deklaratën e tyre se Shqipëria e ka kaluar suksesshëm testin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit", tha Bregu. Zëdhënësja e Këshillit të Ministrave shtoi se deklaratat e presidencës suedeze dhe komisionarit Rehn janë konfirmim i përgjegjshmërisë, me të cilën qeveria shqiptare ka zbatuar dhe do të zbatojë të gjitha detyrimet që afrojnë vendin më shumë me Bashkimin Europian. Ministrja e Integrimit, njëkohësisht edhe zëdhënëse e qeverisë "Berisha", i bëri kreut të PS-së një ftesë publike për të rikthyer Partinë Socialiste në Kuvend. "Ftoj opozitën e Ramës që t‘i lexojë këto mesazhe vlerësuese për zgjedhjet e 28 qershorit me syrin dhe paanësinë e partnerëve të Shqipërisë në Europë. E ftoj opozitën e Ramës që të vijë në Parlament e të dëshmojë se plotësimi i detyrimeve për të qenë sa më shpejt në Bashkimin Europian është detyrimi politik e qytetar i gjithkujt që ka kërkuar dhe ka marrë votën e shqiptarëve më 28 qershor për të realizuar sa më parë ëndrrën e përbashkët europiane", tha Bregu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›