E Diel, 1 Nëntor 2026

Festa e Pezës, muzikë deri në orët e para të mëngjesit

Festa e përvitshme e Pezës nuk ka munguar as këtë vit. Në një mot me vranësira, por të paktën pa reshje shiu, 76-vjetori i festës së Pezës ka vazhduar traditën edhe për 2009-ën. 16 Shtatori ka rikthyer festën në Pezë, një event i përvitshëm në kalendarin e aktiviteteve të Bashkisë së Tiranës. Aktivitetet e ditës në lidhje me festën e Pezës kanë nisur që prej orëve të para të paradites për të përfunduar në të gdhirë të ditës së enjte. Festa ka nisur me tingujt e bandës së kryeqytetit, e shoqëruar edhe nga këngët dhe vallet e Ansamblit Tirana. Pjesa e dytë e festimeve është konceptuar me ngjitjen në skenë të artistëve të njohur të muzikës së lehtë dhe moderne. Më pas i vjen radha pjesës së tretë të festës "Peza on the rock", e cila nisi në orën 23:00 dhe zgjati deri në agim të së enjtes. "Konferenca e Pezës është një pikë e palëkundshme, që mbetet gjithmonë aktuale në referimin tonë ndaj historisë. Si një moment kur shqiptarë e shqiptare me bindje dhe përkatësi të ndryshme, por me një pikë të përbashkët referimi që kishte të bënte me atdheun, me lirinë e tij dhe me të ardhmen e tij, u bashkuan dhe i dhanë jetë një fronti antifashist që solli më pas edhe çlirimin e vendit", tha në fjalimin e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Si çdo vit, pjesë e festimeve do të jenë jo vetëm këngëtarët dhe të ftuarit, por personazhe të tjerë të njohur të botës së artit, muzikës, politikës, personazhe të tjerë të njohur në vendin tonë. Nuk do të mungojë tradita e ushqimeve në skarë, pijeve dhe grupeve të të rinjve të cilët nga viti në vit e kanë marrë edhe më "seriozisht" organizimin për të vajtur në festën e Pezës. Deri në orët e para të mëngjesit të rinjtë kanë kërcyer, kënduar, dëfryer, tek-tuk duke kujtuar edhe Konferencën Pezës si një pjesë e rëndësishme e historisë. Sakaq, pjesë e festës kanë qenë edhe politikanët të cilët nuk kanë bërë dot pa deklaratat e tyre politike, si pjesë e sëmundjeve të tyre "profesionale".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›