Kandidimi në BE, Gjermania "bllokon" Shqipërinë
Gjermania ka bllokuar shqyrtimin e aplikimit të Shqipërisë për statusin kandidat nga Këshilli i radhës i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian. Burime diplomatike në Bruksel rrëfyen për "Top Channel" se Berlini nuk ka pranuar që kjo çështje të përfshihej në axhendën e punimeve dyditore të Këshillit, me argumentin se duhet pritur fillimisht progres-raporti i 15 tetorit. Të njëjtat burime shtojnë se realisht një qëndrim i tillë vjen dhe për hir të zgjedhjeve në Gjermani, për shkak të ndikimit negativ që përbën çështja e zgjerimit në zgjedhjet që organizohen në Gjermani në fund të këtij muaji. Në të njëjtën kohë, suedezët, të cilët mbajnë Presidencën e BE-së, deklaruan se aplikimi pritet të shqyrtohet në muajin që vjen. Ministrja suedeze për çështjet europiane Cecila Mallmstrom tha: "Do ta fusim në axhendë sa më shpejt të jetë e mundur, besoj në tetor". Me të marrë udhëheqjen e unionit në muajin korrik të këtij viti, suedezët premtuan fillimisht se shqyrtimi i aplikimit të Shqipërisë pritet të kalojë shpejt, pasi bëhet fjalë vetëm për një çështje teknike. Edhe në Këshillin e fundit të Ministrave, para pushimeve të verës, ministri i Jashtëm, Karl Bildt pati deklaruar se BE pret vetëm përfundimin e procesit zgjedhor dhe raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, që faktikisht u publikua pak orë para nisjes të hënën pasdite të Këshillit të Ministrave. "Natyrisht që ne duhet të studiojmë imtësisht raportin e të diskutojmë me vendet anëtare. Por ne kemi për synim që ta përfshijmë në axhendë. Ky ishte sinjali i qartë që Këshilli i Ministrave dha në korrik e shpresoj të arrihet, nëse jo shqyrtimi do të bëhet sa më shpejt", theksoi Mallmstrom. Aplikimi i Shqipërisë u bë gjatë Presidencës Çeke në qershor të këtij viti dhe sipas burimeve diplomatike në Bruksel, pjesa dërrmuese e vendeve anëtare kanë shprehur shqetësimin që kërkesa e Shqipërisë nuk po shqyrtohet prej një kohe shumë të gjatë, duke përbërë një precedent.