E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiknuri: Kërkojmë të hedhim dritë mbi problemet e zgjedhjeve

Partia Socialiste insiston në transparencën e procesit zgjedhor. Damian Gjiknuri, deputet i sapozgjedhur i kësaj force politike, deklaroi dje se PS-ja nuk pretendon ta ndryshojë rezultatin në tavolinë, por të garantojë transparencën zgjedhore, e rëndësishme kjo për proceset e ardhshme. "Partia Socialiste kërkon t‘i bëjë të qartë opinionit publik se marrëdhënia jonë e kushtëzuar me Parlamentin e dalë nga këto zgjedhje problematike, në vetvete nuk kërkon përmbysjen e rezultatit zgjedhor, por hedhjen dritë mbi shkeljet, identifikimin e përgjegjësve, si edhe marrjen e masave që këto probleme të mos përsëriten më në të ardhmen. Kushtet e vendosura nga Partia Socialiste janë në vetvete çështje që në raport kërkohen të adresohen nga politika shqiptare", tha Gjiknuri. Ai vuri në dukje se Partia Socialiste e shikon me shqetësim indiferencën e kësaj mazhorance për të reaguar ndaj një kërkese krejt legjitime të opozitës, kryerjen e plotë të transparencës në lidhje me të gjitha problemet që lidhen me zgjedhjet dhe që janë të konfirmuara edhe nga raporti i fundit i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve. Madje, sipas tij, ky raport nuk bëri gjë tjetër, por konfirmoi edhe njëherë problemet që ka ngritur opozita shqiptare në lidhje me këto zgjedhje, duke shtruar si imperative adresimin e tyre, duke filluar së pari nga hedhja dritë e të vërtetave që fshihen në kutitë e votimit.

"Problemet e konstatuara në këtë raport janë preludi i kushteve tona. Plotësimi i tyre jo vetëm që nuk cenon imazhin e Shqipërisë, siç pretendon Berisha, por ndikon direkt në shëndoshjen e demokracisë dhe kthimin e normalitetit në lidhje me zgjedhjet në vend. Opozita është e gatshme që të hyjë në Kuvend menjëherë nëse do të mundësohet transparenca e kërkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›