Klosi: Unë do të largohem nga politika
Fatos Klosi, ende anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim shpjegoi dje arsyet e pjesëmarrjes në festën e Pezës. Ai pohoi se kishte një ftesë për pjesëmarrjen nga ana e kryetarit të selisë rozë, por siç tha ai nuk ka asgjë të jashtëzakonshme pasi e viziton shpesh këtë zonë. I pyetur në lidhje me takimin me Ramën, Klosi e përkufizoi si një takim normal, ku u bisedua për shumë gjëra. Por në lidhje me bashkëpunimin e tij me Partinë Socialiste, Klosi pohoi se nuk ka ndonjë plan për të ardhmen. Kjo sepse sipas tij, ka menduar të shkëputet nga politika. Fatos Klosi është një ndër kundërshtarët më të fortë të bashkëpunimit PD-LSI. Ai është shprehur se në mes të kësaj marrëveshjeje qëndrojnë interesa ekonomike, ndërsa nga pikëpamja politike e ka parë të pavend dhe jo normale këtë lloj bashkimi. "LSI e ka pritur shumë keq marrëveshjen e Ilir Metës me Sali Berishën. "Elektorati është shumë i zhgënjyer, sepse ne kemi pasur si moto të betejës pozicionin tonë të fortë përballë Berishës", është shprehur Fatos Klosi.