E Shtunë, 31 Tetor 2026

2005-2006, paratë e strehimit i merr Bashkia

28/11/2004  Bashkia e Tiranës do të përfitojë gjatë vitit fiskal 2005–2006 paratë e fondit të strehimit. Në fakt, jo vetëm Bashkia e Tiranës, por të gjitha bashkitë do të përfitojnë nga fondi që qeveria vë në dispozicion të strehimit çdo vit. Gjatë vitit të kaluar, fondi i strehimit ka qenë 440 milion lekë, një vlerë kjo që është konsideruar e pamjaftueshme për të zgjidhur problemin e strehimit. Shqipëria në 2004-ën ka vetëm 0.05 për qind të GDP-së në dispozicion për strehimin, ndërkohë që nevojat kërkojnë të paktën 1.5 për qind të GDP-së. Mbështetur në këto shifra mund të thuhet se, Shqipëria ka dhe nivelin më të ulët të fondeve buxhetore në funksion të strehimit, në raport me të gjitha vendet e tjera të Evropës Juglindore. Me ligjin e ri do të jenë bashkitë ato që do të përdorin për blerjen e banesave paratë e dhëna nga qeveria, duke patur të drejtën e ndërtimit të pallateve si dhe të përzgjedhjes së firmës. “Vendimi reflekton ndryshimet në politikat e strehimit, që përcaktohen në ligjin e miratuar në maj të vitit 2004 ‘Për programet sociale të strehimit të banorëve të zonave urbane’”, ka bërë të ditur në njoftimin e saj zyra e shtypit pranë Këshillit të Ministrave. Bazuar në këtë ligj, fondet buxhetore për strehimin, duke nisur nga viti 2005-2006, do t’i akordohen bashkive për administrimin e programeve sociale të strehimit. Ndërkaq, Enti Kombëtar i Banesave, që deri dje ka përdorur pjesën më të madhe të këtij fondi për të ndërtuar banesa me kosto të ulët, do t’i duhet të ridimensionojë aktivitetin e vet. Ajo do të luaj funksionin e një ndërmjetëseje mes tregut të ndërtimit dhe Bashkisë, për të bërë të mundur ndërtimin e banesave me kosto sa më të leverdisshme për të pastrehët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›