E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sokol Koçiu s'është në hetim për "Nano-Abdiu"

27/11/2004  Tiranë-Sokol Koçiu nuk është person në hetim për çështjen e përgjimit apo transkriptimit të bisedës, që mendohet se është bërë mes Kryeministrit Fatos Nano dhe ish-deputetti Fehmi Abdiu, në dhjetor të vitit 1997. Burime jozyrtare nga Prokuroria, pohojnë se Koçiu është person që pyetet në cilësinë e dëshmitarit, që ka dijeni për rrethana të dobishme. Sipas tyre, "ish-oficeri i Policisë Gjyqësore është gjykuar e dënuar nga gjykatat, të cilat kanë marrë një vendim të formës së prerë për të, dënim të cilin ai po e vuan në një nga burgjet e Tiranës".

Dosja

Prokuroria nuk deklaron nëse hetimi ka nisur për denoncimin e Nikollë Lesit, apo kallëzimin e Kryeministrit Nano, në cilin prej episodeve dhe në ç'kah po hetohet. Nuk pohohet zyrtarisht nëse është regjistruar ndonjë çështje penale në ngarkim të emrave të lakuar e përfolur për përgjim në hotel "Rogner", në të bujshmen tavolina A 20, shtatë vjet më parë. Kjo, si efekt i Kodit të Procedurës Penale, do të shoqërohej me një kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme në parlament, për të tjera heqje imunitetesh, gjë që është larg pretendimit aktual të institucionit të akuzës.

Përgjimi

Në një dokument të lexuar nga Nikollë Lesi, gjatë një seance në parlament më 8 nëntor 2004, pretendohej se ishin përgjuar Kryeministri Nano dhe Fehmi Abdiu. Përmbajtja implikonte bashkëbiseduesit në aferë të dyshimta. Nënshkrimi, në fund të procesverbalit të transkriptuar, ishte i major Sokol Koçiut, në atë periudhë ish-shef i komisariatit të Kuçovës. Nga qelia e Burgut 302 të Tiranës, ish-zyrtari ka pohuar se e ka nënshkruar ai procesverbalin, por do të flasë vetëm nëse ngrihet një komision parlamentar për të hetuar këtë ngjarje.

Xhafa

Sokol Koçiu është person në hetim dhe nuk mund të kontaktojë me asnjë nga mediat. Reagimi ka qenë i ministrit aktual të Drejtësisë, Fatmir Xhafaj. Të gjitha kërkesat për të takuar të dënuarin me vendim të formës së prerë nga gjykata, janë frenuar nga kreu i dikasterit që ka në varësi burgjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›