E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tutori i shet viçin, e më pas vajzën

27/11/2004  TIRANË – Deri tani kishim dëgjuar histori dashurie, të cilat kanë përfunduar në duart e tutorëve në mënyra të ndryshme. Të gjitha kanë patur një rrugë, atë të trafikut të prostitucionit. Këtë fat të keq ka patur edhe Miranda Haratçiu, nga nja fshat i Dibrës, tre vjet më parë. Por rruga nëpërmjet së cilës ajo kaloi në shfrytëzim si prostitutë, ishte pak e gjatë dhe e çuditshme njëherësh për të gjithë familjen. Prindërit, pasi e fejuan me njeriun që e mbajtën me bukë për gjashtë muaj me radhë, i përgatitën rrobat dhe një ditë të bukur të vitit 2001 e nisën për të banuar në Tiranë. E gjitha kishte qenë një mashtrim. Vajza përfundoi në semaforët e Italisë. Ajo u shit te tutori, ashtu siç u shit edhe viçi që mbahej në shtëpi si e vetmja pasuri e shtëpisë.

Dëshmia

Familja Haratçiu ka katër vajza. Është shumë e varfër. Tre vjet më parë banonte në një fshat të Dibrës, por pas largimit të vajzës nga shtëpia, e pa të arsyeshme të zbriste për banim në Durrës. Fatmira Haratçiu është nëna e vajzës. Dje, ajo tregoi para Gjykatës së Krimeve të Rënda tragjedinë e familjes. Në krye të historisë së dashurisë, e përzier me dhimbje, qëndron i pandehuri Hamza Karoshi, po nga Dibra. Fatmira tha se tre vjet më parë, vajza e saj Miranda ishte njohur në Peshkopi me Hamzain. Djali e kishte pëlqyer vajzën dhe të dy së bashku nisen në familjen e Mirandës. Është treguar djalë i mirë. Menjëherë i ka kërkuar prindërve dorën e vajzës për nuse. Brenda dy ditëve, nga njohja ka blerë stolitë dhe janë shpallur të fejuar. Hamzai kishte qenë i martuar dhe prindërve të vajzës u ka thënë se, kur është kthyer nga Greqia e ka kapur gruan e vet me një tjetër dhe e ka dërguar te prindërit. Historia u besua. Për gjashtë muaj dhëndri qëndron në shtëpinë e vajzës. Ditën shkonte në qytet dhe natën flinte tek ajo. Fatmira, nëna e vajzës, tha dje se kishte vuajtur shumë për të mbajtur me bukë burrin e vajzës, por ai e mashtroi. Pas gjashtë muajsh, pasi shiti edhe viçin, sepse donte lekë për të ikur në Itali, shpik një tjetër mashtrim. Ai u thotë prindërve të vajzës se ka blerë shtëpi në Tiranë dhe do të shpërngulej atje. Nisen të dy me vajzën. Por pesë ditë pas largimit nga shtëpia telefonon prindërit e vajzës. Hamzai u thotë prindërve se Miranda ishte e sëmurë dhe se ata duhej të vinin në Tiranë për ta takuar. Fatmira u shpreh dje se erdhën në Laprakë për të takuar vajzën, por më kot. Vajza ime kishte ikur në Itali, ndërsa burri i saj ishte kthyer te gruaja dhe djali, tha dëshmitarja. E kërkoi për disa ditë, por më kot. Sipas dëshmitares, mashtruesi e kishte lënë vajzën në duart e shtetasit Bujar Sinjari. Prokuroria tha se i akuzuari e shiti vajzën te Bujari dhe më pas u kthye në familje. Ndërsa, nëna e vajzës, tha dje se kishte hesape për të larë me të pandehurin Hamza Karoshi, i cili e shkatërroi si familje. Për Bujar Sinjarin, nëna e vajzës tha se nuk kishte hak për të marrë, pasi ky e ka ndihmuar të bijën për të shkuar në Itali dhe më pas është takuar me të rastësisht dhe e ka ndihmuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›